Futboll

Dermaku kalon në Kupën e Italisë, një 18-vjeçar shqiptar në stolin e Parmës

Kastriot Dermaku luajti titullar në ndeshjen e Kupës së Italisë mes Parmës dhe Frozinones. Skuadra e mbrojtësit kuqezi vuajti jo pak për kualifikimin, që e arriti në kohën shtesë me golin e Hernanit me penallti. Në turin tjetër të Kupës së Italisë, atë të 1/8-ve, Parma do të ndeshet me Romën.

Trajneri i Parmës, D’Aversa, kishte bërë rotacion në formacion, duke aktivizuar lojtarë të stolit, mes tyre edhe Dermakun, i cili nuk luajti në kampionat javën e fundit. Parma shënoi me Siligardin dhe u duk se e kishte në dorë ndeshjen, por skuadra e Serisë B, e drejtuar nga ish-lojtari i Milanit dhe Lacios, Alesandro Nesta, barazoi në pjesën e dytë. U desh që në fushë të hidheshin edhe “peshat e rënda”, që Parma të gjente golin e fitores dhe të kualifikimit. Në minutën e dytë shtesë, Hernani nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë dhe Parama kaloi turin.

Redi Kasa, 18-vjeçari shqiptar i Parmës. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

Për t’u veçuar është fakti se në stolin e Parmës ka qenë një tjetër futbollist shqiptar. Ai është mesfushori 18-vjeçar Redi Kasa, të cilin trajneri D’Aversa e kishte marrë nga ekipi i të rinjve. Kasa ka lindur në Itali, por ka pasaportë shqiptare, është rritur te Parma, ka luajtur me ekipin e 17-vjeçarëve të saj dhe më pas ka kaluar te 19-vjeçarët, duke qenë një ndër më të spikaturit, jo më kot është grumbulluar për ndeshjen e Kupës së Italisë edhe me ekipin e parë. Një lojtar që i shërben të ardhmes kuqezi, me siguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë