Futboll

Derbi vendimtar për titullin, ultrasit e Tiranës pushtojnë fushën e stërvitjes

Gazeta Si – Derbi i së mërkurës Tirana-Partizani është vendimtar për titullin kampion në Superiore. Tirana kryeson renditjen me 2 pikë diferencë nga rivalët historikë dhe duhet minimalisht ta ruajë këtë pozicion.

Kampionët në fuqi në fakt vijnë në këtë sfidë jo në gjendjen më të mirë. Kanë humbur ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Teutës dhe në derbi do të kenë disa mungesa të rëndësishme, si Behiratçe, Hasani dhe Hila. Trajnerit Orges Shehi i është vështirësuar shumë puna dhe për ta karikuar sa më shumë ambientin kanë menduar ultrasit e Tiranës.

Grupimi ‘Tirona Fanatics’ sot kanë shkuar në fushën stërvitore të Tiranës, ‘Skënder Halili’. Një situatë që nuk ndodh shpesh para një ndeshjeje. Për të karikuar lojtarët para derbit, tifozët kanë kënduar këngët e tyre në kor për disa minuta. Lojtarët i kanë duartrokitur dhe kanë premtuar maksimumin.

Derbi Tirana-Partizani zhvillohet ditën e mërkurë, në orën 18:30, në stadiumin “Air Albania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë