“Der Spiegel”, revista e njohur gjermane, ka publikuar së fundi një speciale sa i takon trukimit të ndeshjeve të futbollit në Shqipëri, duke u fokusuar te Skënderbeu dhe dënimi i tij nga UEFA me 10 vjet jashtë Kupave të Europës dhe një milion euro gjobë. Në Korçë ka qenë gazetari Hardy Grune, i cili ka marrë opinione të ndryshme tifozësh të Skënderbeut. Më së shumti i referohet një tifozi me emrin Ervin. Po ashtu, ai ka marrë një opinion edhe nga gazetari i “Supersport”, Andi Deçka, i cili përmend emrin e FSHF-së, Armand Duka, dhe thekson se klani i tij sundon kudo.
Sipas artikullit të prestigjiozes gjermane, një pjesë tifozësh mendon se Skënderbeu është bërë shembull, ngaqë Shqipëria është një vend pak i rëndësishëm, dikush tjetër pranon se ka trukime në futbollin shqiptar, por dënimi i Skënderbeut është i ekzagjeruar. “Ata donin ta bënin shembull Shqipërisë, sepse është një vend i vogël”, - ka thënë një tifoz korçar për “Der Spiegel”. “Nuk dua të them se nuk ka manipulime. Sigurisht që ka, por dënimi është absurd”, - shprehet dikush tjetër.
Gazetari i “Der Spiegel” bën një përmbledhje të historisë së Skënderbeut, duke dhënë detaje për ngjitjen e tij të shpejtë në nivel të lartë dhe këtu përmend emrat e biznesmenit Agim Zeqo, 2 vjet president i korçarëve, të ish-ministrit të financave Ridvan Bode dhe të presidentit aktual, Ardjan Takaj. Më pas flitet për hetimin nga UEFA, duke sjellë në vëmendje një deklaratë të portierit Sean O'Neill të Krusejdërs, skuadrës irlandeze që Skënderbeu e eliminoi në Champions dhe që është nga më të dyshuarat si e trukuar, pasi korçarët kryesonin 1-2 dhe në pak minuta situata u përmbys në 3-2. Përmendet gjithashtu dosja voluminoze e korçarëve në UEFA, me 53 ndeshje të dyshuara si të trukuara, si dhe protesta qytetare në Korçë pas dënimit të Skënderbeut.
“Njerëzit nuk shkojnë në stadium, sepse e dinë që ndeshjet janë të manipuluara dhe nuk duan që dikush të tallet me ta. Klika e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, sundon kudo dhe asnjë politikan nuk përballet me të”. Këto janë disa nga fjalët e gazetarit Andi Deçka për “Der Spiegel”. Artikulli mbyllet me fjalët e disa tifozëve nga Korça, të cilët shprehen se problemi më i madh i futbollit shqiptar është lidhja e ngushtë e njerëzve që e drejtojnë atë me politikën, kompanitë e basteve dhe mafien. Sipas tyre, futbolli në Shqipëri ka vdekur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.