Drejtësia

Depoja me armë te Liqeni i Thatë, fotoja e garazhit lë në burg Eno Papën

Gazeta Si - Fotoja e garazhit që iu gjet në celular njërit prej të arrestuarve pas zbulimit të një depoje, ku modifikoheshin armë në Tiranë, ka futur në telashe Eno Papën.

Policia i gjeti të riut në garazhin që kishte marrë me qira, një arsenal armësh zjarri te Liqeni i Thatë tre ditë më parë.

Por para gjyqtarit, i riu pretendon se nuk ka dijeni mbi armët e gjetura në garazh, pasi e kishte marrë me qira për mikun e tij.

Megjithatë, Gjykata e Tiranës, vendosi për të masën e sigurisë “arrest në burg”, duke vlerësuar pretendimin e Prokurorisë se Papa është pronar i garazhit dhe ka lidhje me armët.

Në celularin e Dorian Kalos, i arrestuar një javë më parë për një tjetër depo armësh në Mëzes, u gjet një foto e garazhit ku mbaheshin armët, duke ngritur dyshimet se të dy personat kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ka qenë kjo foto që “fundosi” edhe Eno Papën.

Tre ditë më parë, në një garazh të marrë me qira pak kohë më parë nga Eno Papa, policia sekuestroi 2 snajpera, 4 kallashnikov, 2 armë automatike, 4 pistoleta me silenciator, tre kallëpe tritoli.

Disa prej armëve ishin modifikuar dhe përshtatur si snajper me shënjestra optike dhe dyshohet se do përdoreshin për ekzekutime mafioze.

Hetuesit janë duke kryer hetime intensive për identifikimin e personave të tjerë që janë pas këtij aktiviteti, pasi dyshohet se Papa nuk është i vetmi i përfshirë.

Ndërkohë, armët janë dërguar ne laboratorin e ekspertizës jo vetëm për të mësuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale, por edhe për të gjetur shenja gishtërinjsh apo gjurmë ADN-je, të personave të tjerë tek armët e sekuestruara.

Pak ditë më parë në Tiranë u zbulua një tjetër arsenal në një banesë private, që shpërbenin për të modifikuar armët e zjarrit, të cilat dyshohet se ishin porositur nga krimi i organizuar.

Ndërsa në pranga përfunduan 2 persona, mes tyre dhe pronari banesës ku ishte ngritur punishtja e modifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë