Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi denoncoi atë që ajo e cilësoi si afera korruptive me inceneratorin e Qarkut Tiranë.
“Ashtu siç kam deklaruar dy ditë më parë, do të paraqes sot të vërtetat tronditëse, të dokumentuara, se si ministra, shtetarë dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit kanë kryer vjedhjen më të madhe të dokumentuar në 100 vite shtet. Përpara pak ditësh jam vendosur në dijeni të disa fakteve shokuese për aferën korruptive të inceneratorëve, më saktë të inceneratorit të Qarkut të Tiranës. Me përgjegjësinë për të thënë të vërtetën dhe me bindjen e palëkundur timen që LSI ka zero tolerancë ndaj çdo afere korruptive, ka zero tolerancë ndaj çdo bashkëpunimi të institucioneve shtetërore me grupet mafioze. Ka zero tolerancë ndaj çdo grabitjeje që u bëhet xhepave të shqiptarëve. Prandaj jam sot këtu, me personin tim fizik, për të denoncuar këtë aferë, bazuar e tëra në dokumente shtetërore, me firmë dhe me vulë, me korrespondencë ligjore, haptas, qartas, sesi shkelen totalisht ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por më e rënda është se si tallen me shqiptarët dhe taksat e tyre, të cilët në mjerim vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë”, tha ajo.
Kryemadhi tha se dokumentet do t’i dërgojë në SPAK.
"Në gjithë këtë të vërtetë, unë sot do t’ia drejtoj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ose siç e quajmë ne në kuadrin e Reformës së re në Drejtësi, SPAK-ut, dhe shpresoj që identitetin dhe dinjitetin e këtij institucioni ta shikoj në vazhdim. Sot është vetëm fillimi i këtij kalvari grabitjeje dhe mashtrimi tronditës që qeveria e Edi Ramës në bashkëpunim me grupe mafioze dhe të strukturuara kriminale i bëjnë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe ligjit shqiptar. Do t’ju kërkoja pak durim, çdo dokument është i faktuar dhe këtu janë prezent të gjitha materialet, të cilat e kanë kapur ‘shah mat’ Edi Ramën me qeverisjen e tij dhe të gjithë piruetat që ai ka ndërtuar në qeverisje, nuk kanë më shans të rrotullohen, por vetëm të përballen përpara drejtësisë", tha ajo.
Kryemadhi ka renditur në mbi një ore një kup me dokumente për të vërtetuar se në këtë projekt janë përfshirë disa ministra në shkelje të plotë ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.