Futboll

Dënimi jep efekt edhe në fushë, Juventusi pëson 4 gola nga Empoli i Ismajlit

Gazeta Si – Mbrëmje e errët për Juventusin, që pas sentencës është shembur edhe në fushën e Empolit të Ardian Ismajlit. Në ndeshjen e fundit të javës së 36-të të Serisë A, skuadra e Alegrit humbi 4-1, duke shtuar dëshpërimin pas heqjes së 10 pikëve.

Tani kualifikimi në Ligën e Kampionëve është vetëm një mirazh për bardhezinjtë. Të dielën luhet sfida direkte me Milanin, por kuqezinjtë kanë një avantazh prej 5 pikësh, kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e kampionatit.

Empoli feston nje nga golat ndaj Juventusit. Gazeta Si, 22 maj 2023

Juventusi e nisi mirë dhe për çerek ore e mbylli Empolin prapa. Milik goditi traversën dhe më pas u transformua në protagonist negativ, duke shkaktuar penallti, që Kaputo e ktheu në gol. Pas 3 minutash Luperto dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë Kaputo dhe Pikoli shënuan dy golat e tjerë të Empolit, me golin e Kiezës në mes për Juventusin.

Mbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli, luajti 90 minuta të plota në këtë ndeshje, duke bërë një paraqitje të mirë. Empoli i tij qëndron në pozita të sigurta në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë