Treg

Denaj: Patenta “Made in Albania” është përtej konsumit patriotik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj është shprehur për rëndësinë që ka patenta “Made in Albania” për produktet shqiptare.

Në aktivitetin e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) për promovimin dhe mbrojtjen e produkteve të marketuara në fushën e artizantit ministrja Denaj tha se  pronësia intelektuale, ka një vlerë të madhe.

“Ajo nuk lidhet vetëm me një përputhshmëri ligjesh brenda standardit europian, por me vlerën që produkti “Made in Albania” ka në tregjet ndërkombëtare. Bizneset të cilat e kanë kuptuar rëndësinë e patentës dhe certifikimit të patentës brenda standardeve ligjore që njihen ndërkombëtarisht, e bëjnë më të lehtë shitjen e produkteve me kodet përkatëse dhe e bëjnë produktin “Made in Albania” jo vetëm që të ketë vlerë në treg, por i rrisin prestigjin edhe vetë Shqipërisë. Ne duhet të shkojmë përtej dhe kjo patentë na ndihmon që të shkojmë përtej konsumit patriotik.Ne po shkojmë drejt një zgjerimi të markës, në njohjen ndërkombëtare, e cila për këto biznese që duan të qëndrojnë gjallë në treg është thelbi kryesor” u shpreh ajo.

Ndërsa Drejtoresha e DPPI-së Ledina Beqiraj bëri me dije se që prej datës 15 korrik, drejtoria ofron shërbimet nëpërmjet portalit të vetëm qeveritar e-Albania duke sqaruar se, “Tashmë kushdo ka lehtësi në aplikime nëpërmjet portalit për të shmangur kështu radhët e gjata. Një element tjetër që duhet përmendur është se shërbimin e merr i pari ai që e kërkon i pari. Aplikimi nëpërmjet portalit sjell edhe lehtësi për sa i takon transparencës. Me ndryshimet ligjore ne kemi dy arritje të mëdha. Njëra për sa i takon aplikimit për patenta në dy kategori të caktuara të cilët janë studentët  edhe pensionistët, ato përfitohen me një reduktim të vlerës  nga 700 lek të parashikuar nga VKM-ja, reduktohet në vetëm 100 lek. Arritja e dytë është për sa i përket aplikimit për certifikatë, nëse bëhet në portalin e-Albania përfitohet i reduktuar në vlerën 50%. Nga 800 lek kushton vetëm 400 lekë”.

Në total në DPPI nga viti i krijimit të saj (1993) i  janë depozituar rreth 90 000 aplikime për regjistrime të objekteve të Pronësisë Industriale.

Nga subjektet shqiptare janë depozituar rreth 7 000 aplikime, nga të cilat 4 500 marka janë për produkte shqiptare.

Inovatorët shqiptarë kanë aplikuar për regjistrimin e 171 patentave për shpikjet e tyre.

77 subjekte shqiptare kanë kërkuar nëpërmjet DPPI-së mbrojtjen në tregun ndërkombëtar të markave të tyre.

Nga 24 aplikime për tregues gjeografikë dhe emërtime origjine, 20 janë aplikime nga prodhues shqiptarë.

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale aktualisht ofron 154 shërbime online për publikun.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë