Gazeta Si – Argjentinasi që ka firmosur për Inter Majemin, sipas mediave franceze, ka krijuar vetëm probleme te PSG, me një seri kapriçosh, që nuk e bënë kurrë të dashur për klubin, shokët e skuadrës dhe tifozët.
Dashuri jo, lumturi jo, kapriço po. Është historia e Lionel mesit te PSG, e mbyllur me një lamtumirë mes vërshëllimave pas 2 vitesh të trazuara. Dy sezone që duhej ta çonin klubin e emrit të Katarit në Olimpin e Championsit, por në fakt me argjentinasin skuadra u eliminua dy herë në 1/8-at.

Ambienti nuk ishte aspak miqësor në dhomën e zhveshjes, nga ku dalin historitë e panjohura të kampionit të botës. “Në Paris, – ka shpjeguar mesi në një intervistë në Spanjë, - ishin dy vjet, ku nuk isha i lumtur, nuk jam argëtuar dhe kjo kushtëzoi edhe jetën e familjes sime. Në Barcelonë shkoja t’i merrja fëmijët nga shkolla, në Paris rrallë. Rrallë shkoja në aktivitete të tjera me ta. Kam fatin që kam arritur çdo objektiv në futboll, tani më intereson më shumë familja”.
Mesi i palumtur ka përfunduar në shënjestrën e RmcSport, ku mes atyre që e kanë kritikuar lojtarin spikat Zherom Roten, ish-lojtar i PSG-së dhe tani drejtues i një emisioni radiofonik.
“Në mars Leo nuk shkoi në një stërvitje jo për një problem në pulpë, siç u justifikua te klubi. E vërteta është se nuk ishte i kënaqur me ushtrimet e stërvitjes teknike, ndoshta ngaqë atë ditë fëmijët e tij nuk ishin mnirë në shkollë. U kthye në dhomën e zhveshjes, bëri dush dhe iku. Kjo tregon sa i respektonte shokët e ekipit dhe trajnerin”.
Atë ditë, sipas RmcSport, Mesi nuk donte të bënte ushtrimet e vrapit dhe lojën mbrojtëse, ku përfshihen edhe sulmuesit. Një version që në atë kohë u përgënjeshtrua nga babai Jorge.
Roten vazhdon edhe më tej: “Mesi insistoi shumë për të ndryshuar ritmin dhe kohën e stërvitjes. Nuk donte stërvitje në mëngjes, sepse sipas tij nuk ishte mirë. Donte që ekipi të stërvitej pasdite, por stafi teknik nuk e pranoi këtë kërkesë të tij”.

Kjo është edhe një nga arsyet që nuk e bënte Mesin të lumtur në Paris. Argjentinasi në fillim të majit mungoi sërish në stërvitje për arsye të sponsorëve, duke shkuar në Riad. Klubi atëherë e ndëshkoi me një pezullim dyjavor, që u reduktua në një, pasi Mesi kërkoi ndjesë me anë të një videoje në rrjetet sociale.
Një muaj më pas la kryeqytetain francez mes vërshëllimave të tifozëve, të cilët e konsiderojnë simbol të dështimeve në Champions, pasi e quajtën mercenar. Në Majemi argjentinasi po pritet si një yll dhe ndoshta mund t’i dedikohet më lehtë dhe pa presion jetës familjare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.