Suadela Balliu - Realizimi i filmit dhe nisja e ciklit të festivaleve ndërkombëtarë është respekti më i madh që i bëhet punës së nisur prej regjisorit dhe skenaristit të ndjerë Artan Minarolli, ndërsa regjisori Bujar Alimani, e sheh “Delegacionin” si një homazh për kolegun e tij. Më 15 tetor filmi do të ketë premierën botërore në edicionin e 34-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë. “Përpos gëzimit të madh të një përfaqësimi kombëtar në evente të tilla, mbushesh plot shpresë se i përket një kinematografie, e cila me shumë mundim përpiqet të gjejë rrugë e labirinte për të konkurruar në botë. Kjo e bën më të dyfishtë gëzimin dhe po kaq të shumëfishtë shpresën”, shprehet regjisori Alimani, për Gazetën “Si”, ndërsa shton se kinematografia shqiptare kohëve të fundit po njeh suksese, pasi edhe filmi “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, do të konkurrojë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Talin të Estonisë .“Nuk është një rastësi ky shpërthim i një kinemaje që vjen nga një vend tepër i vogël e shpesh i pavëmendshëm tek të huajt karshi nesh”, vijon regjisori.
"Delegacioni”, sipas Alimanit, është një homazh për rezistencën dhe një kambanë alarmi. “Ashtu siç thotë Noli, se “i vogli mund viganin dhe i shtypuri tiranin”. Pra, vjen ekzakt në kohë në kuptimin se personazhi kryesor, i cili interpretohet nga Viktor Zhusti, është një intelektual i burgosur, i cili nuk pranon të luajë lojën e pushtetit dhe preferon sakrificën kapitale sesa të bëhet vegël e tyre. Në këtë kuptim, “Delegacioni”, është më aktual se kurrë.”
Subjekti i filmit, skenari i të cilit u shkrua nga Artan Minarolli, zhvillohet në tetor të vitit 1990, periudhë ku regjimi komunist në Shqipëri përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion europian vjen në Tiranë për të monitoruar vënien në jetë të reformave nga ana e qeverisë – një parakusht që Shqipëria të pranohet në OSCE. (Ndërsa Shqipëria është në 2018-ën, situata duket po e njëjta, sikur të mos kishte kaluar asnjë ditë nga 1990-a, ku reformat janë ende kryefjalë dhe implementimi i tyre parakusht për anëtarësim në bashkësi europiane.)
Luani , protagonisti i interpretuar nga Viktor Zhusti, nxirret fshehtas nga një burg i largët e sillet në kryeqytet. Ka qenë i burgosur politik për 15 vjet. Tani është kthyer në një aset shumë të vyer për qeverinë. Delegacioni europian kryesohet nga një shok i vjetër shkolle i Luanit. Detyra e tij është të verifikojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Luani mund ta bindë atë se gjithçka shkon mirë. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar. “Kisha fatin se në film kam një kastë shumë të mirë aktorësh si Viktor Xhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Kasem Hoxha, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Selman Lokaj, Mehmet Xhelili, Kristaq Skrami, etj. , me të cilët, të gjithë së bashku vizatuam mozaikun e karaktereve të filmit e marrëdhënien mes tyre.”, vijon Alimani, ndërsa shton se një kastë e mirë aktorësh përgjysmon lodhjen për të realizuar një film në terren të vështirë.
Regjisorit i është dashur të xhirojë në zona të ndryshme të Shqipërisë, me rrugë të vështira dhe shpesh pa sinjalistika, për të krijuar besnikërisht sfondin e viteve të para ’90. “Natyrisht, diamant në këtë kurorë aktorësh ishte aktori gjerman Richard Sammel, i cili ka interpretuar në “Inglorius Basterds”, “La vita è Bella”, etj., i cili rezultoi një yll i vërtetë në të gjithë kuptimin dhe bashkëpunëtor shumë korrekt, i ngrohtë dhe i afërt me të gjithë stafin”, rrëfen regjisori, ndërsa i referohet bashkëpunimit me aktorin gjerman. Një tjetër emër i madh është ai i sopranos së njohur Inva Mula, e cila ka kënduar kolonën zanore të filmit, krijuar nga Etleva Turkeshi Minarolli dhe Ilir Bajri.
Filmi “Delegacioni” do ta ketë premierën shqiptare, në fillim të muajit nëntor, zbulon regjisori, në kuadër të “Tirana International Film Festival” dhe “fill pas kësaj do të konkurrojmë në Festivalin “Cottbus” në Gjermani, në Festivalin e Selanikut në “Open Horizons” si edhe pasojnë festivale të tjerë, të cilët do i konfirmojmë në ditët në vazhdim”, vijon ai.Filmi vjen si prodhim i “Art Film” me producente Emir Gramo, në bashkëprodhim me “Zorbas Film” në Francë, “Graal” në Greqi dhe “Bleri Production” në Kosovë dhe është realizuar me mbështetjen financiare të QKK-së, Shqipëri, QKK Kosovë, “Eurimages”, “Europe Creative”, “Qendra Greke e Filmit”, ERT TV në Greqi, Radio Televizioni Shqiptar dhe “Cinema du Monde”.
“Ishte një vazhdim i asaj çka la në fillesat e veta si projekt, regjisori Artan Minarolli, i cili ndërroi jetë dhe, ky film ishte një homazh dhe respekt për të vazhduar punën e një kolegu të nderuar”, thotë Alimani, ndërsa ka falënderuar familjarët e regjisorit të ndjerë që ia besuan vizionin e Minarollit, ndërsa Alimani shpreson që ky film të jetë një sukses në kinematografinë shqiptare. “Kinematografia shqiptare meriton shumë, shumë më tepër. Përpjekjet e kineastëve janë të jashtëzakonshme dhe heroizmi i tyre për të realizuar filma të një cilësie të lartë me buxhete nga më të voglat në Europë, është për t’u çmuar shumë”, mendon Alimani, ndërsa edhe më herët është shprehur se Shqipëria, me gjithë financimet e pakta, arrin të prezantohet denjësisht në festivale prestigjiozë.
“Edhe pse Qendra Kombëtare e Kinematografisë po bën ç’është e mundur të mundësojë një rrokje më të gjerë të kineastëve kryesisht të rinj dhe përfshirje të tyre në prodhim filmi, tek të cilët mbetet shpresa, përsëri ne meritojmë më shumë vëmendje nga politika.”, thotë regjisori, ndërsa shton “në sheshet jashtë kinemave gjigante ku shfaqen filmat tanë, ngrihet flamuri shqiptar. Vetëm kaq do të mjaftojë të themi se e kemi kryer detyrën karshi shqiptarëve. Më besoni, kjo nuk është e lehtë të arrihet.”, përfundon regjisori, i cili gjatë karrierës së tij ka realizuar filma, që kanë marrë vëmendje ndërkombëtare si “Krom” apo “Amnistia” , film që u vlerësua me çmimin CICAE në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin dhe më pas u paraqit në Edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Varshavë, drejt të cilit do të udhëtojë sërish me një pjesë të kastës së aktorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.