Politike

Dekriminalizimi në rrezik? Kuvendi nuk ka listë për vendet ku vepron ligji

Në Shqipëri prej rreth tre vitesh po zbatohet Dekriminalizimi, një ligj që u vendos për të pastruar klasën politike shqiptare, duke e larguar të zgjedhurit dhe zyrtarët me të kaluar të dyshimtë apo kriminale. Por ky ligj është peng i një akti nënligjor, i cili mund të bllokojë shtrirjen e zbatimit për zyrtarët apo deputetët me të kaluar të dyshimtë në disa shtete që janë jashtë Bashkimit Evropian.

Ky është konstatimi i nxjerrë nga ana e Institutit të Studimeve Politike, i cili mes të tjerash monitoron edhe procesin e zbatimit të këtij ligji. Sipas këtij Instituti, ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në nenin 2, pika 6, përcakton se “Kuvendi, me vendim, përcakton brenda afatit të parashikuar nga ky ligj listën e shteteve të tjera, vendimet e dënimit jo përfundimtare, masat e sigurisë dhe/ose urdhrat e kërkimit ndërkombëtar apo masat e dëbimit të të cilave, sipas këtij neni passjellin zbatimin e ndalimeve të këtij ligji”.

Në vijim, neni 16 përcakton se “aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji miratohen nga organet kompetente jo më vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Ligji është miratuar  në dhjetor të 2015 dhe ka hyrë në fuqi në janar 2016. Për rrjedhojë, në mars 2016 do të duhej që Kuvendi të kishte përcaktuar me vendim listën e shteteve të tjera që përfshihen në objektin e veprimit të tij.

ISP-së thekson se pas rreth tri vitesh ende kjo kompetencë dhe përgjegjësi e Kuvendit nuk është përmbushur. “Për pasojë, në çështjen e zbatimit integral të ligjit të dekriminalizimit është krijuar një problematikë, për shkak se në mungesë të kësaj liste të miratuar nga Kuvendi, vendet që nuk janë anëtare në BE si Zvicra apo Norvegjia, apo vende që mund të jenë në proces daljeje nga BE si Britania e Madhe, apo vende të shumta jashtë BE përfshirë disa në rajonin tonë, ku kemi raste të veprave penale, nuk janë ligjërisht vende në të cilat veprat penale janë objekt i veprimit të ligjit 138/2015”, thekson ISP.

Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka i larguar nga Parlamenti, pasi u prek nga ligji i Dekriminalizimit

Si pasojë e zbatimit të ligjit të Dekriminalizimit janë rreth 350 politikanë dhe zyrtarë që janë prekur dhe janë larguar nga ushtrimi i detyrës. Kanë qenë në hetim 12 deputetë, ndërsa 6 janë larguar dhe 3 kanë dhënë dorëheqjen. Disa nga ish deputetët e hetuar janë Aqif Rakipi, Armando Prenga, Dashamir Tahiri dhe Arben Ndoka. Një tjetër emër është edhe ai i ish-deputetit Shkëlqim Selami dhe Mark Frroku. Largime ka pasur edhe nga radhët e kryebashkiakëve, nga të cilët një është shkarkuar, ndërsa 3 të tjerë janë nën hetim. Sipas të dhënave, ka pasur edhe zyrtarë drejtues të cilët janë larguar; në total janë 45 të tillë. Ndërsa zyrtarët e tjerë të larguar për shkak të ligjit të Dekriminalizimit janë 110. Statistikat vijojnë me këshilltarët bashkiakë, nga të cilët 35 janë shkarkuar dhe 21 kanë dhënë dorëheqjen. Po ashtu, janë larguar edhe 18 kandidatë për deputetë. Sipas statistikave, të prekur nga ligji i Dekriminalizimit janë edhe 5 gjyqtarë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen. Të larguar ka pasur edhe nëpunës të administratës publike, numri i të cilëve arrin në 89.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë