Menaxhim

Dekretohet ligji i ri për turizmin/ Brenda qershorit çdokujt që jep banesa me Booking i duhet certifikatë

Nga Gazeta 'SI' - Në pritje të sezonit turistik, janë miratuar përfundimisht ndryshimet në ligjin e turizmit. 

Nga muaji qershor, çdo individ apo familje që liston banesa për qira afatshkurtër, tipi AirBnB ose Booking është i detyruar të pajiset me një certifikatë për aktivitetin dhe në fund të vitit të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave DIVA.

Drafti fillestar i ministrisë së Financave, theksonte se këto subjekte duhet  të regjistrohen në QKB dhe më pas u ndryshua, duke theksuar se duhet të pajisen me një certifikatë dhe të ardhurat do t’i deklarojnë si TAP, me anë të formularit DIVA.

Në tetor të 2023-shit, kryeministri Rama shprehej se fluksi i të ardhurave nga Airbnb nuk mund të qëndrojë i pataksuar, ndërkohë që rritet. Në të njëjtin muaj, një email i platformës Booking për pronarët shqiptarë i konfuzoi të gjithë. Atëherë Booking i kërkonte atyre që listonin apartamentet në platformë numrin e NIPT, pasi do të ngarkoheshin me TVSH.

Çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, (jo apartament, vilë, dhomë) duhet të regjistrohet në QKB dhe brenda 30 ditëve paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.

Subjektet akomoduese dhe stacionet e plazhit duhet të ekspozojnë dukshëm listat e çmimeve për produktin dhe shërbimin që ofrojnë të paktën në gjuhën shqipe dhe angleze.

Ligji i ri ul dhe nivelin e arsimit të kërkuar për administratorin e subjekteve turistike, nga diplomë universitare në arsim të mesëm.

Ndryshim tjetër me rëndësi është ai i statistikave të turizmit, për të cilat do të krijohet një Komitet. Detyra e Komiteti është mbledhja dhe përpunimi i të dhënave mujore turistike nga pushteti vendor, struktura akomoduese, operatorët turistikë etj. Këto të dhëna më pas i dërgohen ministrisë së Turizmit dhe INSTAT.

Ministria e Turizmit parashikohet të krijojë dhe një regjistër për shtigjet turistike në vend, sinjalistikat etj.

Ndryshimet e reja në ligjin për turizmin janë pjesë e nismës së formalizmit të sektorit në vend, ku autoritetet kanë konfirmuar nëndeklarimet dhe evazionin fiskal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë