Mazhoranca do të shqyrtojë të enjten dekretin e dytë të Presidentit Meta për kthimin e ligjit për prishjen dhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese do të mblidhet përpara nisjes së seancës parlamentare për të shqyrtuar dekretin e Presidentit Ilir Meta kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””.
Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi gjatë mbledhjes së këtij komisioni bëri të ditur axhendën për ditën e nesërme. Kryekomisioneri tha se është përfshirë në axhendën e Komisionit që shqyrtimi të bëhet ditën e enjte në orën 9:00 të mëngjesit, një orë para se të fillojë seanca plenare.
“Ju bëj me dije se nesër (enjten) në orën 9 do të shqyrtojmë dekretin e presidentit për Teatrin. Besoj se jemi dakord me axhendën”, deklaroi Shalsi.
Mbledhja e ditës së nesërme, ndryshe nga ajo e para, pritet të zhvillohet pa praninë e opozitës, e cila ka vendosur që të bojkotojë komisionet e seancat parlamentare.
Sipas burimeve mësohet se mazhoranca, ndryshe nga herët e tjera nuk do të pajtohet me argumentet presidentit Meta, të cilat janë të njëjtat si më parë. Kështu dekreti i dytë nuk do të kenë fatin e të parit, duke e rrëzuar atë. Ligji, pas shprehjes edhe së komisioneve të tjera parlamentare dhe votimit në seancën plenare do të hyjë menjëherë në fuqi, pa qenë nevoja që të shkojë te Presidenti për shprehje mendimi.
Presidenti në dekretin e dytë, argumentonte se nga 9 kërkesa të paraqitura herën parë Parlamenti kishte plotësuar vetëm një, por edhe atë jo të plotë.
“Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi. Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje.
Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit.
Sipas procedurës parlamentare dekretet e Presidentit futen menjëherë në rendin e ditës dhe në kalendarin e punimeve.
Kthimi i dytë i dekretit për të njëjtin ligj përbën një precedent për historinë e marrëdhënieve mes Presidencës dhe Parlamentit shqiptar. Kështu vendimi i mazhorancës pritet të ndikojë edhe në marrëdhëniet me presidentin kjo në prag të përcaktimit të kandidatit për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku kreu i shtetit ka nisur procedurën për përzgjedhjen e kandidaturave. Ndërsa kjo përplasje ka zanafillën te mos zgjedhja e kreut të Shërbimeve Sekrete, ku prej një viti, Meta nuk po pranon të firmosë propozimin e paraqitur nga ana e kryeministrit Edi Rama për caktuar në post Helidon Bendon.
9 kërkesat e Presidentit
1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018) bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5. Ligji nr.37/2018 (dt. 05.07.2018) vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7. Ligji nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018 (dt. 05.07.2018), nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 (dt.05.07.2018) “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.