Gjykata e Beratit ka rrëzuar kërkesën e LSI për vazhdimin e hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për deklaratat e bëra gjatë fushatës elektorale në vitin 2017, ku kërkoi përfshirjen e punonjësve të policisë në fushatë pasi të mbaronin orarin zyrtar të punës.
Ylli Manjani, në cilësinë e avokatit të LSI, pas vendimit deklaroi “drejtësia qëndroi kokulur para kreut të qeverisë’, të cilin e cilësoi të rrezikshëm për zgjedhjet në Shqipëri.
“Ky kryeministër përbën rrezik për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”, mësohet të jetë shprehur Manjani pas përfundimit të seancës.
LSI kërkoi rikthimin e hetimit ndaj Ramës për deklaratat mbi përfshirjen e policisë në fushatë.
Prokuroria e Përgjithshme ndërpreu hetimet, pas ndjesës që kërkoi Kryeministri, por LSI ankimoi vendimin e saj në Gjykatën e Lartë për mosfillimin e procedimit penal ndaj Ramës.
Gjykata e Lartë ia kaloi çështjen Gjykatës së Beratit, pasi Kryeministri bëri deklaratën gjatë një takimi elektoral në Kuçovë.
Kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili reagoi përmes një konference për shtyp ndaj vendimit të Gjykatës Berat, duke theksuar se me këtë vendim Rama krijoi statusin e njeriut të pandëshkueshëm nga ligji.
“Drejtësia e re, Prokuroria e re, më e keqe se e vjetra, ku LSI padit Prokurorinë e Përgjithshme për mbylljen e cështjes, ku Kryeministri i bëri thirrje më 25 qershor 2017, policisë që të flakte uniformën dhe të bëntë vota, me kokën ulur, e mbylli përsëri cështjen, dha një vendim negativ, duke krijuar absolutisht statusin e njeriut të pandëshkueshëm në shtetin shqiptar. Tashmë është e qartë që ky Kryeministër nuk mund të administrojë më kurrë zgjedhjet në Shqipëri, por drejtësia e vdekur mbylli cështjen dhe fali fajin penal të Kryeministrit që kërkoi ndjesë në Facebook”- tha Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.