Lajme

Deklarata e drejtoreshës për nxënësen shtatzënë, kërkohet shkarkimi

Pas deklaratës së drejtoreshës së Zyrës Arsimore të Fierit, Yllka Beci, për nxënësen me shenja helmimi se është shtatzënë, ka reaguar Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon qeverise shkarkimin e menjëhershëm të drejtoreshës Yllka Beci.

“Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon qeverisë shkarkimin e menjëhershëm të drejtoreshës së ZA Fier Yllka Beci. Vajza 16-vjeçare që është përmendur nga drejtoresha e arsimit të merret nën kujdesin e punonjësve sociale. Media të shmangë publikimin e emrit dhe pamjeve të saj. Ky është një rast i rëndë bullizmi dhe ndëshkimi duhet të jetë edhe ligjor për drejtoreshën e Zyrës Arsimore”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë sjell në vëmendje edhe një tjetër skandal të ndodhur në shkollën e muzikës në Fier.

“Pak ditë më parë në shkollat e Fierit u denoncua një skandal seksual në shkollën e muzikës dhe KSSH sinjalizoi se ishte vetëm maja e ajsbergut.  Akuzën tonë e konfirmoi vete drejtoresha e Zyrës Arsimore Fier”, vijon më tej deklarata.

Ditën e mërkurë 60 nxënës të shkollës së mesme “Janaq Kilica” përfunduan të helmuar nga spraj piperi, një rast i përsëritur në harkun kohor të një jave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë