Futboll

Debutim super i Dermakut në Serinë A, meritë e Shqipërisë dhe Rejës

Kastriot Dermaku i është mirënjohës trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja, i cili i ka besuar në ndeshjet e fundit të kuqezinjve. Dhe paraqitja e mirë me fanellën e Kombëtares ka bërë që mbrojtësi 27-vjeçar të debutojë në Serinë A me Parmën. Shtatlarti ishte titullar në fitoren 5-1 ndaj Xhenoas dhe për më tepër ka marrë vlerësime maksimale nga shtypi sportiv italian. Një debutim super është konsideruar ai i Dermakut, që luajti 75 minuta dhe më pas u ndërrua për shkak të një dëmtimi.

Dermaku 7 – I vendos ”maskën” sulmuesit Pandev, duke u dalluar për ndërhyrjet e pastra dhe kontrollin e ajrit, ku është absolutisht i pakalueshëm. Lë fushën pas 75 minutash për njw dëmtim, që nuk duket serioz. Debutim super. Ky është vlerësimi që shtypi italian bën për Dermakun. Nota 7, si pak lojtarë të tjerë të skuadrës së tij në atë fitore të thellë. Dermaku u bashkua me Parmën gjatë merkatos së verës, ndërsa më parë ka luajtur në kategoritë më të ulëta të futbollit italian. Një lojtar i fituar për Kombëtaren dhe Parmën.

Dermaku në dyluftim me Pandev. Gazeta Si, 21 tetor 2019

Trajneri Reja i besoi një vend titullari në fitoren 4-2 me Islandën, ku Dermaku shënoi golin e parë për kuqezinjtë. Ai luajti në të dyja ndeshjet e fundit, me Turqinë dhe Moldavinë, duke bërë një paraqitje të mirë. Në deklaratën pas ndeshjes së djeshme të Parmës, mbrojtësi e tha hapur se falënderon Kombëtaren shqiptare për faktin se i dha besim, edhe pse nuk kishte pasur minuta me klubin e tij. Një shans që Dermaku e shfrytëzoi më së miri dhe tashmë ia ka bërë të qartë trajnerit të Parmës se meriton më shumë minuta.

Në Serinë A, titullarë ishin në fundjavë të dy portierët e Kombëtares, Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha. Strakosha pësoi 3 gola në ndeshjen Lacio-Atalanta, që përfundoi 3-3 dhe portieri kuqezi kishte faj në njërin prej golave. Berat Gjimshiti nuk u aktivizua nga trajneri Gasperini në këtë ndeshje, ndoshta duke u kursyer për mesjavën, kur Atalanta të luajë në Champions. Spali i Berishës u mund 2-0 nga Kaljari, por portieri kuqezi nuk ka përgjegjësi direkt për golat e pësuar. Nga lojtarët kuqezi duhet veçuar goli i Sadikut në fitoren 0-2 të Malagës në fushën e Deportivo La Korunjës. Sulmuesi që nuk u grumbullua me Kombëtaren në ndeshjet e fundit, shfrytëzoi një gabim të portierit kundërshtar. Në fund, ai dhe Bare festuan për këtë fitore mjaft të rëndësishme.

Sadiu feston golin ndaj Deportivo La Korunjas. Gazeta Si, 21 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë