Futboll

Debutim historik për Egnatian në Europë, sot në fushë edhe Tirana e Vllaznia

Gazeta Si – Pas Partizanit, që luajti të martën në Ligën e Kampionëve, ku barazoi 1-1 me bjellorusët e Bate Borisov, sot është radha e tri skuadrave të tjera shqiptare të tregojnë vlerat e tyre në Europë. Tirana, Vllaznia dhe Egnatia marrin pjesë në Ligën e Konferencës.

E para zbret në fushë Egnatia (ora 17:00), në një debutim historik në kompeticionet europiane. Në pjesëmarrjen e tyre të parë në këtë nivel, rrogozhinasit ndeshen me armenët e Ararat. Fituesit e Kupës së Shqipërisë sezonin e fundit kanë një skuadër vërtet të fortë dhe pritet të lënë gjurmë edhe në Europë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova nuk ka pësuar shumë ndryshime gjatë merkatos së verës. Kundërshtari nuk është i një niveli shumë të lartë, kështu që Egnatia ka shanse reale për të kaluar në turin e dytë eliminator, ndërsa hapin e parë mund ta hedhë që në sfidën e sotme në transfertë.

Egnatia ne Armeni, ku luan sot ndeshjen e pare europiane. Gazeta Si, 13 korrik 2023

Në orën 20:00 luan Tirana, e vetmja nga skuadrat shqiptare që luan në fushën e saj, ku pret gjeorgjianët e Dinamo Batumit. Kryeqytetasit kanë bërë përforcime të mëdha në merkaton e verës, duke afruar emra si Latifi, Hoxhallari, Mici, Doka, Selmani, Jonuzi e Kaina. Lëvizje që tregojnë qartë se Tirana ka pretendime të mëdha në Europë dhe për sezonin e ri.

Trajneri Orges Shehi do të hedhë në fushën e ‘Air Albanias’ një formacion me shumë ndryshime nga ai i kampionatit të fundit, me disa lojtarë debutues. Tirana, me ndihmën e tifozëve, ka mundësi të mëdha për ta nisur me fitore aventurën europiane.

Dhe në fund Vllaznia (ora 20:45), që luan në transfertën irlandeze me Linfield. Shkodranët kanë ndryshuar kurs këtë verë, duke zgjedhur të shmangin shpenzimet e mëdha dhe të krijojnë një skuadër me profil më të ulët. Stolin ia kanë besuar Migen Memellit, ndërkohë që kanë larguar shumicën e lojtarëve të sezonit të kaluar.

Megjithatë, Vllaznia ka një bosht të mirë, me titullarë si Hakaj, Mala dhe Balaj. Po ashtu, ka bërë edhe disa afrime në merkaton e verës, që mund ta ndihmojnë për të kaluar të paktën një tur në Europë. Kundërshtari i turit të parë nuk është i një niveli të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë