Lajme

Dëbora, 20 cm në Dardhë. Kalohet vetëm me zinxhirë

Në Dardhë të Korçës ditën e djeshme dimri trokiti me dëborën e parë. Reshjet vijojnë edhe sot dhe rruga drejt fshatit turistik të Dardhës në segmentin fundor qarkullohet vetëm me zinxhirë, për shkak të trashësisë së borës, mbi 20 cm.

Si pasojë e terrenit të vështirë, po punojnë disa mjete borëpastruese, ndërsa policia e qarkullimit nuk lejon lëvizjen drejt këtij destinacioni turistik të mjeteve pa zinxhirë.

Ndërkohë, rruga Korçë-Voskopojë është e hapur dhe qarkullohet normalisht, po ashtu nuk paraqiten vështirësi as në akset nacionale që lidhin Korçën me Kapshticën, Qafë Thanën dhe Leskovikun.

Si pasojë e motit të keq janë pa energji elektrike disa zona të thella. Por, përveç Korçës, mbrëmjen e së premtes dimri ka trokitur edhe në verilindje të vendit. Edhe pse jo në sasi të madhe, dëbora ka zbritur deri afër qyteteve Bulqizë dhe Peshkopi, duke sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave. Po ashtu, dëbora ka mbuluar edhe malet e Librazhdit.


Shtabi i emergjencave civile, që po ndjek në vazhdimësi situatën, thotë se nuk ka raportime për zona të izoluara nga bora dhe as raste të emergjencave shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë