Bota

Dëbimi i emigrantëve në Ruanda, parlamenti britanik miraton ligjin pas 2 vitesh debat

Projektligji i dëbimit të emigrantëve në Ruanda i kryeministrit britanik Rishi Sunak do të bëhet ligj.

Kjo pasi deputetët e tjerë u tërhoqën përfundimisht nga ndryshimi i tij, duke hapur rrugën për betejat ligjore mbi largimin e mundshëm të dhjetëra njerëzve që kërkojnë azil.

Projektligji pritet të marrë miratimin mbretëror sot. Burimet e Home Office thanë se ata tashmë kanë identifikuar një grup azilkërkuesish me pretendime të dobëta ligjore për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët do të jenë pjesë e këstit të parë që do të dërgohet në Afrikën Lindore në korrik.

Sipas projektligjit të Sunak, i cili do të dëbojë azilkërkuesit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë klandestine në Kigali. Kjo, si përpjekje e qeverisë për të ndaluar anijet e vogla që kalojnë Kanalin.

Denisa Delić, drejtoreshë e avokimit në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, tha të hënën se pavarësisht nga miratimi i sotëm i projektligjit, dërgimi i refugjatëve në Ruandë është një qasje “joefektive, e panevojshme, mizore dhe e kushtueshme”.

“Në vend që të kontraktojë përgjegjësitë e saj sipas ligjit ndërkombëtar, ne i bëjmë thirrje qeverisë të braktisë këtë plan të gabuar dhe të fokusohet në ofrimin e një sistemi imigrimi më njerëzor dhe të rregullt”.

Marrëveshja do të kushtojë 1.8 milion £ për secilin nga 300 të dëbuarit e parë, ka konfirmuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Matthew Rycroft, nëpunësi më i lartë civil në Zyrën e Brendshme që ka mbikëqyrur skemën për dy vjet, u tha më parë deputetëve se nuk kishte prova që të tregonin se shuma e parave të shpenzuara për këtë projektligj është shumë e madhe në raport me efikasitetin parandalues.

Stafi i Home Office ka paralajmëruar gjithashtu se ekziston rreziku i zhdukjes së mijëra azilkërkuesve sapo të fillojnë largimet, të etur për të shmangur marrjen e njoftimit se ata po dërgohen në Kigali.

Fluturimet e para

Kryeministri Sunak zbuloi se fluturimet e para që largonin azilkërkuesit në Ruandë ishin planifikuar të niseshin pas 10 deri në 12 javë, duke humbur objektivin e tij origjinal të pranverës.

Në një konferencë shtypi të thirrur posaçërisht për këtë çështje, ai tha se qeveria nuk do të lejonte që “një gjykatë të huaj" të bllokonte fluturimet për në Ruandë dhe theksoi se më në fund do t'i jepte fund "lëmshi ligjor" të lidhur me fluturimet e dëbimit.

"O tani, o kurr" tha Sunak. “Nuk ka më zhgënjime, as vonesa. Parlamenti do të ulet dhe do të votojë sado vonë të shkojë. S’ka nëse, s’ka por. Këto fluturime do të shkojnë në Ruanda.”

Numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin

Sipas statistikave, për vitin 2023, më shumë se 29 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin me anije të vogla, shifra e dytë më e lartë vjetore në rekord.

Ata e kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm në 585 gomone – mesatarisht 50 njerëz të grumbulluar në secilën anije.

Shifrat tregojnë se shtetasit turq pëbëjnë më shumë se një në 10 ardhje, ndërsa shqiptarët përfaqësojnë tre për qind krahasuar me gati një të tretën vitin e kaluar.

Afganët përbëjnë grupin më të madh të të ardhurve nga 1 janari deri më 29 nëntor 2023 – 20% e totalit – e njëjta përqindje si për të gjithë vitin 2022. Grupi tjetër më i madh janë iranianët me 12%, pak më pak nga 13% e fundit vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë