Njerez

Dëbimet nga Gjermania, shqiptarët të parët

Shqiptarët kryesojnë në listën e të dëbuarve nga Gjermania për gjysmën e parë të vitit 2019. Pjesa më e madhe e tyre janë futur në procedura azilkërkimi dhe pasi u është refuzuar kërkesa janë riatdhesuar, ndërsa pjesës tjetër procedura iu mohua automatikisht.

DW thotë se pas shqiptarëve, ndjekin serbët, rusët, gjeorgjianët dhe nigerianët. Shifrat kanë dalë nga raporti që qeveria gjermane i ka dorëzuar partisë së Majtë, pas kërkesës së kësaj të fundit për t’u njohur me shifrat zyrtare të azilkërkuesve dhe praktikave që ndjekin autoritetet me këtë kategori.

Qeveria gjermane thotë se aktualisht ndodhen më shumë se 246.000 vetë, të cilët duhet të largohen nga vendi. 191.117 prej tyre kanë statusin e “duldung”-ut, që do të thotë, se për arsye ligjore ose praktike dëbimi nuk kryhet dot për momentin.

Gjermania ka dëbuar afërsisht 11.500 vetë në gjysmën e parë të vitit 2019, një rritje e vogël kjo krahasuar me një vit më parë. Dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar do të vazhdojnë edhe përgjatë muajve të mbetur të këtij viti. Qeveria gjermane kujton se mundësitë që shtetasit nga vendet e Ballkanit të përfitojnë azil janë thuajse zero.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë