Ne rrjet

Debati i fundit mes Biden dhe Trump dhe cilin nxjerin fitues sondazhet

Ndërkohë që po bëhen gati për debatin e tyre të fundit 15 ditë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, demokrati Joe Biden vazhdon të kryesojë në sondazhet kombëtare ndaj presidentit republikan Donald Trump, ndërsa miliona amerikanë po votojnë para datës së zgjedhjeve.

Një kombinim rezultatesh nga sondazhet tregon se zoti Biden, ish-nënpresident dhe një faktor i skenës politike të Amerikës prej afro një gjysmë shekulli, ka një epërsi prej 9 ose 10 përqind në shkallë vendi dhe ndoshta gjysmën e kësaj epërsie në shtetet që do të përcaktojë rezultatin. Presidenti Trump vazhdon të jetë i bindur se do të rizgjidhet.

Deri tani numri i votuesve të hershëm ka qenë i pashembullt për Shtetet e Bashkuara. Gati 28 milionë vetë kanë votuar, ose duke shkuar në qendrat e votimit, ose me postë. Shifra është e barazvlefshme me 20% e numrit të përgjithshëm të votave kur zoti Trump fitoi ndaj demokrates Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016 dhe 30% të tjerë mund të votojnë deri në ditën zyrtare të zgjedhjeve.

Disa nga votuesit u kanë thënë intervistuesve se ata votuan herët për të shmangur kontaktin me njerëz të tjerë në qendrat e votimit më 3 nëntor mes pandemisë së koronavirusit.

Ndërkohë, disa demokratë kanë thënë se motivimi i tyre për të votuar herët ishte që të ishin ndër të parët që votuan për të rrëzuar Presidentin Trump, ndërsa sondazhet thonë se shumica e republikanëve synojnë të votojë personalisht në ditën e zgjedhjeve.

Bazuar në sondazhe, disa media tashmë parashikojnë që zoti Biden do të bëhet presidenti i 46-të i vendit në ditën e inaugurimit të 20 janarit dhe më i moshuari. Ai është 78 vjeç. Nëse humbet në zgjedhje, zoti Trump, do të ishte presidenti i tretë në detyrë i Shteteve të Bashkuara në katër dekadat e fundit, që do të humbiste garën për rizgjedhje për një mandat të dytë.

Edhe në zgjedhjet e kaluara, zoti Trump ishte pas, por ai fitoi pas një fushate intensive në shtetet vendimtare, përfshirë Pensilvaninë, Miçiganin dhe Uiskonsin.

Faqja e sondazheve FiveThirtyEight.com thotë se në bazë të 40,000 kombinimeve të mundshme kompjuterike të zgjedhjeve del se zoti Biden fiton 88 herë në 100 skenarë të mundshëm, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e mundshme të votuesve, prirjet historike dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit në 50 shtetet e vendit.

Faqet e tjera të lajmeve tashmë sugjerojnë që Biden ka që tani një përparësi të mjaftueshme në shtetet vendimtare për të grumbulluar më shumë se 270 votave të nevojshme për të siguruar shumicën e 538 votave elektorale për të fituar presidencën në Kolegjin Zgjedhor.

Vota popullore e Shteteve të Bashkuar nuk përcakton fituesin, por rezultatin në secilin prej shteteve, ku fituesi i votës në të gjitha shtetet përveç dy prej shteteve më pak të populluara, merr të gjitha votat elektorale të shtetit.

Rivalët Trump dhe Biden kanë bërë një fushatë intensive në shtetet vendimtare në ditët e fundit përpara debatit të dytë dhe të fundit të së enjtes mes tyre në Nashville, Tenesi. Trump zhvillon të hënën dy ndalesa fushate në shtetin jugperëndimor të Arizonës, të cilin e fitoi në 2016 por ku këtë vit, është pas zotit Biden që kryeson me një diferencë të ngushtë në sondazhet atje.

Mikrofonat do të jenë të mbyllur

Mikrofonët e Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden do të jenë të mbyllur për disa pjesë të debatit të tyre të fundit të enjten, për t’i dhënë mundësi secilit kandidat që të përgjigjet pa ndërprerje sipas Komisionit për Debatet Presidenciale.

Komisioni që është organizatori i debatit televiziv në Nashville, tha se ndryshimet ishin të nevojshme pas debatit të parë të ashpër midis kandidatëve më 29 shtator.

"Ne e kuptojmë, pas diskutimeve me të dy fushatat, se asnjë prej fushatave nuk mund të jetë plotësisht e kënaqur me masat e njoftuara sot," shprehej komisioni në një deklaratë. "Ne jemi të bindur që këto veprime realizojnë ekuilibrin e duhur dhe se janë në interes të popullit amerikan, për të cilin mbahen këto debate."

Organizatorët e debatit do t'i japin secilit kandidat nga dy minuta kohë të pandërprerë në fillim të secilit segment të debatit, që do të jetë nga 15 minuta secili.

"Kandidati i vetëm, mikrofoni i të cilit do të jetë i hapur gjatë këtyre dy minutave është kandidati që ka fjalën sipas rregullave," tha komisioni.

Fushata e Presidentit Trump u shpreh kundër ndryshimit, por tha se ai gjithsesi do të merrte pjesë.

"Presidenti Trump është i angazhuar të debatojë me Joe Bidenin pavarësisht nga ndryshimet e minutës së fundit të rregullave nga komisioni i njëanshëm në përpjekjen e tij të fundit për të siguruar avantazh për kandidatin e tyre të preferuar ," tha menaxheri i fushatës Bill Stepien.

Presidenti Trump e ndërpreu në mënyrë të përsëritur zotin Biden gjatë një debati kaotik dhe të acaruar më 29 shtator, dhe demokrati Biden u përgjigj me fyerje.

Trump u tërhoq nga një debat i dytë i planifikuar për të enjten e kaluar mbi një mosmarrëveshje në lidhje me formatin virtual pas infeksionit të tij me COVID-19. Ato ditë, ai shtroi shqetësime për mbylljen e mundshme të mikrofonit të tij.

"Ulesh para një kompjuteri dhe bën debat - është qesharake dhe pastaj të ndërpresin kur të duan", tha zoti Trump në një intervistë më 8 tetor në televizionin Fox Business.

Të hënën, fushata e zotit Trump tha se ishte e pakënaqur me temat për debatin e së enjtes, duke argumentuar se duhej të përqendrohej më shumë në politikën e jashtme dhe duke u ankuar që grupi jopartiak ishte i prirur pro zotit Biden.

Fushata e zotit Biden tha se të dyja palët më parë kishin rënë dakord të lejonin moderatorët të zgjidhnin temat dhe se PresidentiTrump donte të shmangte diskutimin e administrimit të tij të pandemisë së koronavirusit, gjë që sondazhet tregojnë se është çështja kryesore për votuesit.

"Si zakonisht, presidenti është më i shqetësuar me rregullat e një debati sesa t’i japë një vendi që është në krizë ndihmën që i nevojitet," tha zëdhënësi i zotit Biden, TJ Ducklo. /VOA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë