Politike

Debatet/ ‘Tahiri’ trazon Kuvendin. PS kundër Metës: Ligj i ri për Presidencën

Dy dekretet e presidentit Meta për rishqyrtimin e ligjit “Për Kodin Penal” dhe “Akademinë e Shkencave” i dhanë mundësi mazhorancës që të sulmonin kreun e shtetit, duke paralajmëruar se ka nevojën për të hartuar një ligj “Për presidencën”. “Ka lindur si nevojë për të përcaktuar dhe miratuar një ligj për “Presidentin” me qëllimin për t’i treguar rrugën se si do të veprojë në të ardhmen”, deklaroi socialisti Alket Hyseni.
Ndryshe nga rrëzimi i 8 dekreteve të tjera në seancën e fundit parlamentare, kësaj radhe numri i diskutantëve ishte më i madh dhe vinin nga ana e ministrave. Kështu ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se kthimi i dekretit për “Kodin Penal” është një gjë e mirë pasi mund të ripërsëriten edhe një herë arsyet se pse ka nevojë që të ato duhet të miratohet dhe të jenë fuqi. “Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndahen nga armët. Për këtë Kodi parashikon që ata që kapen me armë dënimet fillojnë nga 5 vjet deri në 15 në rast përsëritjeje. Do bëjmë përpjekje që të rëndojmë kushtet për marrjen e armëve me leje. Shumë prej armëve janë përhapur pas trazirave të marsit 1997. Që nga ajo datë kanë lindur 1,3 milionë shqiptarë dhe shumica e tyre nuk e dinë se çfarë tragjedie ka shkaktuar ajo për Shqipërinë. Janë mbi 1100 armë pa leje që kanë shkaktuar masakër në faunën e vendit por edhe viktima. Do vështirësojmë aksesimin e armëve të gjahut. Një nen tjetër që do ndryshohet ka të bëjë me atë të qarkullimit. Shumë persona bllokojnë rrugët nëse nuk i pëlqen një vendim i caktuar. Kjo duhet të marrë fund”, tha Lleshaj.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj duke folur në Parlament


Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se pretendimet e presidentit për Kodin Penal janë të pabazuara. “Presidenti nuk e vlerësoi kujdesin për jetën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Nuk duhej të vononte hyrja në fuqi e Kodit Penal. Të gjitha ndryshimet e propozuara janë implementim i direktivave të BE. Shpreh keqardhje për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Presidentit të Republikës për plotësimin e këtyre direktivave", u shpreh Gjonaj.

Ministri Gjonaj duke folur në Parlament


Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla deklaroi se “u vonuam dy muaj sepse ai e ka vetë pozicionuar presidencën në një prej selive të opozitës. Ashpërsimi i të gjithë dënimeve ndaj veprave penale që cenojnë sigurinë ushqimore të qytetarëve, duhet të jetë vëmendja jonë kryesore”.

Opozita thirrje për sistemin dhe akuza të forta për Ramën
Në diskutimet e tyre deputetët e opozitës i janë rikthyer edhe një herë çështjes së ndryshimit të sistemit zgjedhor. Deputeti i opozitës Ralf Gjonaj u shpreh edhe një herë kushti kryesor i opozitës së re është ndryshimi i sistemit dhe se nuk do të pranojnë një marrëveshje në kurriz të shqiptarëve. Madje ai bëri një deklaratë të fortë, ku theksoi se nuk realizohet ndryshimi i sistemit ai do të japë dorëheqjen si deputet dhe nuk do të jetë më në Parlament.

Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni

“Sot problemi i Shqipërisë janë çunat problematikë që tallen me vjedhje e votës së qytetarëve të Shqipërisë. Ka qytetarë që kanë besim se do votojnë dhe se vota e tyre do numërohet. Po nuk e bëjnë dot këtë gjë se ka çuna problematikë. Është vonuar reforma në drejtësi sepse shpresojnë për një marrëveshje dashuriçke me Bashën. Por nuk e kanë menduar ndonjëherë se sa fuqi ka vota jonë kundër pazareve. Na injoruat. Unë ju garantoj, nëse nuk arrijmë të reformojmë sistemin zgjedhor, nuk e shoh më të nevojshëm prezencën time këtu në parlament. Kjo është beteja ime e fundit për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Do na akuzojnë se jemi bërë palë me çunat problematikë", u shpreh Ralf Gjoni.

Përkundër qëndrimeve të opozitës joparlamentare që refuzojnë tryezën e reformës, Gjoni tha se dora e opozitës parlamentare është e shtrirë, e se kjo duhet të nisë me depolitizimin e komisioneve, duke nisur që nga KQZ-ja.
“Unë dua t'u them të gjithë shqiptarëve se ne si opozitë e vërtetë me të drejtë vote jemi të gatshëm t'i përgjigjemi thirrjes së Palmer për tryezën e Reformës Zgjedhore. Tryeza e parë do të zhvillohet me 25 shtator. Mazhoranca ka pranuar të marrë pjesë. Ne si opozitë i shtrijmë dorën asaj opozite që doli nga Kuvendi që të vijë të japë mendimin e saj për Reformën Zgjedhore. Ata atje në rrugë le të hidhen pupthi bashkë me ata në parlament. Nuk do ketë asnjë pazar pa votën tonë. Jo një tryezë, por 10 tryeza jemi të gatshëm të bëjmë”, theksoi Gjonaj.
Deputeti tjetër i opozitës Lefter Maliqi u shpreh se kthimi i dekreteve vjen si një betejë e mazhorancës dhe Presidentin, që e zgjodhi vetë dy vite më parë dhe por që tani është i vetmi institucion që kryeministri Rama nuk e ka kapur. “E shkatërruan këtë vend, unë jam që të bëhet një marrëveshje të ndryshohet sistemi zgjedhor dhe të shpëtojë ky vend. Ju këtu keni thënë “do arrestohet Ilir Meta”, por i pari është “peshkaqeni”, që ka miliona e miliona, ka dhe Surrelin. Ju nuk jetoni me realitetin, juve s’jua mban të vini në zonë të takoni qytetarët. Kanë ikur 300 mijë shqiptarë, se po të ishin ata këtu, e kishin marrë këtë të gjatin e kishin hedhur në kosh plehrash. Nëse e doni këtë vend, duhet të ndryshohet sistemi elektoral", tha Maliqi.

Deputeti Lefter Maliqi


Ai gjithashtu aludoi se mes Ramës dhe Bashës ka një marrëveshje politike dhe që sipas tij vazhdon të jetë në fuqi. “Edhe këtë e shtynë dy muaj, do ta shtyjnë dhe 4 muaj të tjera, se nuk ka prova. Si nuk ka prova për zotin Tahiri? Sepse provat e Tahirit i ka ky mbrapa, sepse nuk mbillej dot Shqipëria me drogë pa dijeninë e të parit. Kam qenë drejtues policie unë. Nuk mund të mbillej një parcelë droge pa dijeninë e drejtuesit të policisë, kryeplakut, drejtuesit vendor. Ju nuk doni të bëhet vettingu, pasi dilni lakuriq. Po të bëhet vettingu, ju dhe disa ish-ministra të opozitës, e dini si dilni?... Ju nuk e dini ku i keni vilat! Ky sistem pas 2008 nxori kriminelë me pranga, kryebashkiakë të arrestuar në Itali, Greqi e kudo. A e dini çfarë ka pjellë ky Kuvend? Milionerë, të pasur, që blejnë votat në çdo qendër votimi. Në zonën time të vijë Rama të konkurrojë pa lekë, zonë me 6 qendra votimi, po fitoi i jap dorën. Rama dhe Basha vazhdojnë të kenë marrëveshje. Këta nuk duan të ndryshojnë sistemin parlamentar, sepse kanë frikë. Ju deputetët guxoni të dilni kundër Ramës? Pak e ngriti zërin Bushati, dhe po e degjenerojnë. Ky është sistemi i fëlliqur i këtyre, për t’i marrë të gjitha sistemet për vete. Kush janë dy-tre të fortët që bëjnë emërimet?”, theksoi Maliqi.

Murrizi: Tahiri do të nxjerrë videot e kasetat, votojini shpejt Kodin
Në diskutimet e deputetëve të opozitës jashtë vëmendjes nuk mbetur as çështja e gjykimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrrizi aludoi se këto ndryshime bëhen për t’i parandaluar ndonjë publikim të ndonjë videoje apo përgjimi që mund të ketë ndonjë socialist në hotelet në jug të Shqipërisë. Murrizi ironizoi ndryshimet në Kodin Penal duke nënvlerësuar dënimet për ruajtjen e sigurisë publike apo parandalimin e ndotjes akustike në ambientet publike. Murrizi tha se ishte habitur nga arsyetimi që presidenti kishte bërë duke e quajtur të papërshtatshëm nenin për përgjimet.
“Ju kërkoni burg për çdo gjë. Burg për ata që dalin me daulle. Më habiti që Meta kishte quajtur të përshtatshëm nenin për përgjimet përgjimet. Edhe ju nuk duhet ta kishit bërë këtë kod. Armani terital nga koka deri të këmbët i juaji siç thotë kryeministri. Po t’jua shikosh kasetat e TVSH-së, duken si brigadierë. Sot u shndrit surrati. Dhe kur flasin për luftë kundër korrupsionit është gallatë e madhe. Mos e shihni si betejë mes jush dhe shokut tuaj të ngushtë, të atij me të cilit hapët shampanjën kur ndryshuat emrin e PPSH, filluat të ndryshonit edhe emrat tuaj. Nga Jorgo në Kajmak, nga shërbeti në kos. Ndaj jam kundër kësaj beteje false që keni me njëri-tjetrin. Mirë bëri që bëni që e miratoni këtë se kampioni po shkon në gjykatë dhe vendimi do jepet në orën 16:00. Ndoshta e ka edhe ai ndonjë përgjim, ndonjë kasetë për ju për këta në ndonjë hotel në jug të Shqipërisë. Duhet të hyjë në fuqi sot pasdite në orën 17:00 sepse pas vendimit të orën 16:00 do dalin përgjimet nëpër ekrane dhe nuk do dini ku të shkoni. Ishalla nuk ju kap burgu atje ku jeni filmuar. Negociatat nuk janë penguar nga daullet apo rrahja e kafshëve, u shpreh Murrizi.

Deputeti Myslim Murrizi

Në seancë u fol edhe për dekretin e Akademisë së Shkencave, opozita ishte pro këtij dekretit të presidentit. Deputeti i PD-së, Halit Valteri sulmoi kreun Akademisë së Shkencave, i cili ka sulmuar me deklarata e fyer gazetaret. Ndërsa Fajtona Dhimitri u shpreh se është e turpshme që ende Shqipëria ka në krye të Akademisë së Shkencave ka ende njerëz që kanë qenë ministër në kohën e diktaturës.

Tabela e votimit kundër dekretit të presidentit për Ligjin e Kodit Penal

Dy dekretet e presidentit janë rrëzuar me votat e mazhorancës, por deputetët e opozitës nuk kanë unik në votat e tyre, pasi një pjesë e tyre i kanë bashkuar votat me socialsitët. Për rrëzimin e dekretit për ligjin e “Kodit Penal” votuan 85 deputetë, ndërsa 11 ishin pro kërkesës së presidentit dhe dy të tjerë abstenuan. Gjithashtu me 78 vota kundër u rrëzua edhe dekreti i presidentit për ligjin e “Akademisë së Shkencave”, ndërsa 20 votuan pro dhe 5 abstenuan. Ndërsa u vërejt se në dekretin për Akademinë e Shkencave, deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka abstenuar.

Votat për dekretin e presidentit për Akademinë e Shkencave


Kodi Penal parashikon ndëshkime për ato që protestojnë dhe bllokojnë rrugën, ato persona që sulmojnë në fushat sportive, apo godasin zyrtarët dhe policët në krye të detyrës. Këto ndryshime u morën nga socialistët në kulmin e protestave të opozitës kur në rrugë sulmoheshin institucionet dhe bllokoheshin rrugët. Për dy seanca radhazi, mazhoranca i rrëzuar në total 10 dekrete presidentit Meta, duke mbyllur kështu betejën që nisin me kthim ligjesh dhe me ngritjen e komisionit hetimor nga Kuvendi për shkarkimin e kreut të shtetit. Tashmë përplasja mes Metës dhe mazhorancës do të shtyhet dhe me dy muaj për shkak të shtyrjes në kohë të vendimit të socialistëve për shkarkimin e presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë