Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke deklaruar se parlamenti nuk po trajton interesat reale të qytetarëve shqiptarë.
Një nga temat kryesore që ai ngriti ishte ajo e subvencionimit të naftës për fermerët. Sipas Berishës, deklaratat e kryeministrit Rama se vendet e Bashkimit Europian nuk subvencionojnë më naftën janë të pavërteta.
Ai sfidoi publikisht mazhorancën që të gjejë një vend të BE-së që nuk ofron subvencione për karburantin në sektorin bujqësor, duke theksuar se, përkundrazi, disa shtete si Gjermania i kanë rritur këto mbështetje.
“Kreu i juaj u deklaroi socialistëve në Lushnjë se Europa nuk subvencionon më naftën. Një mashtrim të turpshëm, të paskrupullt dhe ju që qeshni, ju bëni skllavin këtu.
Sepse sfidoj çdo njeri dhe çdo shqiptar, të gjejë një vend të vetëm anëtar të BE që të mos subvencionojë naftën për fermerët. Përkundrazi, Gjermania e rriti këtë vit subvencionin dhe mundet edhe vendet e tjera.
Të shkosh dhe të deklarosh vetëm pse janë socialistë dhe mund t’u thuash çdo gjë, se Europa nuk subvencionon më naftën, bën një akt cinik, një mashtrim ndaj rreth 40 përqind të shqiptarëve, që ç’është e vërteta është pjesa që djersin më shumë, që sakrifikon më shumë qoftë për kafshatën, qoftë për prosperitetin e vet dhe të vendit.
Ndaj dhe ju që jeni këtu, ose gjeni një vend në BE që nuk jep subvencione nafte, ose damkoseni drejtuesin tuaj si një mashtrues ordiner, që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim dhe vendosim këtu të rikthejmë me ligj subvencionin e naftës duke hequr ndaj saj çdo taksë jo vetëm për fermerët, por edhe për transportin publik.
Vijnë miliarderët e Ramës dhe e marrin me 600 lekë naftën, dhe ata kanë rëndësi në ekonomi se hapin shishe shampanje me Ramën. Po ky është turp mo, a përfaqësoni ju apo ata fermerë apo jo? Duhet ta hedhësh në votim këtë çështje”, tha Berisha.
Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Andis Salla, mbrojti skemën kombëtare të subvencioneve, duke theksuar fondin prej dhjetëra milionë eurosh dhe përafrimin me standardet e BE-së.
“Për fermerët shqiptarë është një skemë që e kemi përafruar me BE, është një skemë 52 milion euro. Kemi një minimum 15 mijë euro të vendosur për kompensimin e faturave. Prandaj qeveria shqiptare ka akorduar mbi 100 milionë euro, për fermerët shqiptarë, të cilat do të jenë vetëm për subvencionet dhe fermerët.
Prandaj ne duhet që me sektorin bujqësor të jemi paralele dhe po ecim me një shifër shumë të mirë. Ne do e bëjmë publike skemën kombëtare dhe do të jemi në çdo qark për të sqaruar fermerët dhe për t’i ftuar ata që të bëhen pjesë e paketës sonë kombëtare”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje