Strategjia e opozitës kishte ndryshuar këtë të enjte në Kuvend. Partia Demokratike u tërhoq nga bllokimi i foltores dhe sfidoi mazhorancën në debat për çështjen e negociatave.
Në kalendarin e fjalës, Lulzim Basha ishte vendosur para Kryeministrit Edi Rama, por kur Gramoz Ruçi i kërkoi që të merrte fjalën, kryedemokrati e refuzoi atë, duke kërkuar që më parë të fliste Rama.
Nga opozita foli Dashamir Shehi. Pas Shehit e mori fjalën Kryeministri Rama. I ra shkurt dhe për të nuk kishte asgjë për të debatuar me opozitën. Për të sulmuar rivalin zgjodhi një shprehje të Kancelarit gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, Conrad Adenauer, një nga themeluesit e Europës moderne.
“Duke dëgjuar këtë krah të Parlamentit (opozitën) të shkon mendja tek Conrad Adenauer, i cili në moment sekëlldie duhet të ketë qenë kur tha se ‘duke nisur nga fakti që Zoti kufizoi inteligjencën e njeriut, është e pandershme që nuk kufizoi budallallëkun’. Çfarë mund të debatojmë ne me këta?! Të debatojmë që Shqipëria nuk ka opozitë?! Që është e vetmja që punon ditë e natë kundër vendit të vet sa herë hap gojën dhe artikulon fjalë në gjuhë të huaj?! Këtë të debatojmë ne?! Këto nuk i themi ne, por i thonë miqtë e Shqipërisë që ne takojmë. E thonë ata që u angazhuan për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe që bënë për Shqipërinë pakrahasimisht më shumë se këta”, tha Kryeministri.
Rama kujtoi postimet në rrjetet sociale të Këshillit dhe Komisionit Europian, që urojnë për negociatat. Iu referua edhe postimeve dhe reagimeve të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn për të argumentuar se Shqipëria ka marrë një afat konkret për hapjen e negociatave dhe në fund akuzoi opozitën për tradhti dhe paralajmëroi largimin nga salla.
“O Zot, pse jeni katandisur në një tufë efendish esadistë si ata të parodive?! Nuk kemi punë me këta se kemi mjaftueshmërisht punë për të bërë dhe në këtë start të ri barra jonë është plotësisht e rëndë sa nuk mund t’i mbajmë më këta në kurriz. Boll u bëmë pjesë e debateve të tyre. Budallallëkut pa kufi unë po i hap rrugë dhe debat të mbarë në të folurit me veten tuaj”, u shpreh ai.
Me rivalin politik duke u larguar, Lulzim Basha e nisi fjalën duke i kthyer përgjigje për thumbimin përmes citimit të Conrad Adenauer.
“Zoti na e ka dhënë përgjigjen. Nuk e ka kufizuar budallallëkun që të na testojë me këtë që sapo la sallën deri në ditën që të ngrihemi dhe të marrim në dorë fatet tona. Ky do të vazhdojë të shesë sapunin për djathtë, moshapjen e negociatave si hapje negociatash, kriminelët si ministra të brendshëm, hajdutët si ministra të Financës dhe Infrastrukturës”, deklaroi ai.
Risolli në kujtesë eurot e kapura në automjetin Toyota Yaris, për të cilën në fillim të javës akuzoi Taulant Ballën si garant për hyrjen e këtyre parave për llogari të një bande në Elbasan.
“Toyota Yaris janë maja e ajsbergut prandaj edhe euron e kemi në nivelin më të ulët. Në të gjitha pikat kufitare përditë hyjnë paratë e pista për t’u pastruar duke shkatërruar ekonominë shqiptare”, tha ai.
Iu përgjigj edhe akuzave për tradhti nga Edi Rama. Pranoi se opozita ka denoncuar tek ndërkombëtarët kauzat e saj dhe kujtoi disa qëndrime të opozitës së djeshme.
“Tradhtar nuk është ai që denoncon krimin, drogën dhe korrupsionin, por ai që e solli dhe që zgjedh aleancën me krimin, drogën dhe korrupsionit para shqiptarëve dhe hapjes së negociatave. Ka një dallim të thellë mes Griseldës që vuri një jastëk në bark dhe tha se e dështoi nga demokratët dhe denoncimit të krimit. Ka një ndryshim shumë të madh në luftën për të nxirë imazhin e vendit, që të mos bëheshim anëtarë të NATO-s dhe të mos liberalizoheshin vizat. Ndryshe nga ky ne i njohim problemet tona”,tha Basha.
Përgjigjen për Toyota Yarisin e mori nga Taulant Balla. Kur kreu i Grupit Parlamentar socialist nisi fjalën e tij, Lulzim Basha u ngrit të largohej nga salla. Në këtë moment, Balla i tregon një fotografi.
“Ja ku je Lulzim ti me vëllain e personave të akuzuar për paratë e drogës, shtetasit me inicialet E.V., dhe A.V., të shpallur në kërkim si pritës të parave. Ja ku i keni vëllai i dy personave që prisnin paratë në zyrën e Lulzimit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.