Në mbledhjen e përvitshme të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës sot janë diskutuar disa tema me rëndësi në ekonominë globale. Ato çfarë lanë përshtypje tek pjesëmarrësit ishin kritikat e Presidentit Donald Trump ndaj Bankës Qendrore Amerikane dhe aktivistëve të ngrohjes globale.
Zoti Trump qortoi politikat monetare të ndjekura nga Banka Qendrore Amerikane. Sipas tij, kjo bankë (ose ndryshe e njohur si Federal Reserve System ose thjesht FED), duhej të implementojë norma interesi negative. Ai solli shembullin e politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Europiane dhe ajo e Japonisë, të cilat për të luftuar inflacionin e ulët adaptuan norma interesi negative. Trump shtoi se njerëzit aty paguhen për të marrë kredi dhe ai vetë do ta dështe shumë këtë model.
Një tjetër kritikë që tërhoqi vëmendjen e audiencës ishte ajo, po nga Trump, por kësaj radhe drejtuar aktivistëve në mbrojtje të planetit. Greta Thunberg, aktiviste për ngrohjen globale, më herët sot, kritikoi liderët botërorë për mosarritjen e objektivave kundër ngrohjes globale. Por, sipas Presidentit Trump, “kjo është një kohë për optimizëm dhe jo për t’u shqetësuar nga parashikimet për apokalips, ashtu siç disa profetë thonë”.
Interesante në këtë mbledhje ishte pyetja drejtuar shefit ekzekutiv të Goldman Sachs, David Solomon, mbi mendimin e tij për kompaninë WeWork (e cila u tërhoq nga dëshira e saj për t’u listuar në bursë si rrjedhojë e investitorëve që ishin kundër vlerësimit të madh që firma i kishte bërë vetes). Ai u shpreh se procesi i IPO-s (ofertës publike fillestare, proçes në të cilën një firmë listohet për herë të parë në bursë) që kishte nisur për kompaninë WeWork i kushtoi Goldman Sachs 80 milionë USD. Sipas tij vlerësimi i kompanive në momentin që vijnë për IPO funksionon më së miri dhe rasti i WeWork e tregoi këtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.