Lajme

Data e zgjedhjeve, opozita i kërkon Metës 18 prillin

Presidenti Ilir Meta ka nisur në orën 09:30 konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

Të parët që kanë hyrë në Presidencë për konsultime kanë qenë krerët e partive të vogla të koalicionit opozitar të udhëhequr nga Partia Demokratike. Në përfundim të takimit me Metën, Shpëtim Idrizi tha se i kishte kërkuar Presidentit caktimin e datës më të afërt zgjedhore që lejon Kushtetuta dhe ligji elektoral, pasi sipas tij, vendi është në krizë të thellë.

“Zgjedhjet të zhvillohen sa më parë pasi vendi është në krizë të thellë. Presidentit i kërkova datën më të afërt që na lejon Kushetuta për zhvillimin e zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Data më e afërt zgjedhore sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ndryshimeve të Kodit Zgjedhor pas marrëveshjes së 5 qershor është 18 prilli. Këtë datë kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e koalicionit opozitar, ndërkohë që nga socialistët Ilir Beqaj sugjeroi në një intervistë televizive se shumica do të propozojë datën e fundit, që është 9 maji.

Në orën 11:00, në Presidencë hyri Kryeministri Edi Rama për të njëjtën çështje. Kreu i Qeverisë ka pranuar ftesën e Ilir Metës dhe ka konfirmuar praninë i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Takimi zgjati 10 minuta. Mësohet se Rama ka qenë i hapur për cdo datë, duke përjashtuar 2 majin, që bien pashkët ortodokse.

Një orë më vonë, pra në mesditë është caktuar takimi mes Metës dhe Lulzim Bashës, po për këtë qëllim, ndërsa më pas do të ketë një takim me Petrit Vasilin dhe Luan Ramën nga LSI.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë