Politike

Dasmat bëhen në restorante. Pas darkës së opozitës: S’ka protesta deri në 18 tetor

Larg zhurmës së Tiranës, liderët e partive opozitare u mblodhën në Ishëm në zonën që është në pronësi të kryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.
Kreu i PD, Lulzim Basha, Nard Ndoka in PDK, Fatmir Mediu i PR-së dhe Dashamir Shehi i LZHK-së ishin në këtë darkë informale. Në këtë takim mungonte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, por i pranishëm mësohet se ka qenë nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili. Diskordancat në deklarata të LSI-së, duket se kanë detyruar që në këtë takim të përfaqësohet me Vasilin. Kjo darkë duket se ka thyer edhe takimet nëpër zyra në selinë e PD-së, duke bërë që aleatët e partive të jenë më komod në bisedimet e tyre.
Mësohet se në këtë takim kryedemokrati i ka folur aleatëve për aludimet për negociata me mazhorancë, duke i mohuar se mund të ketë ndonjë të tillë. Distancimi i Ramës nga krimi është kështu i opozitës për arritjen një marrëveshjeje dhe burimet shtojnë se nuk do të ketë asnjë pakt për momentin. Por se aleatët nuk përjashtojnë negociatat që po ndërmarrin ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës dhe kjo në planin e paraqitjes së një pakete që opozita do të hartojë.


Hartimi i një platforme të përbashkët të opozitës për zgjidhjen e krizës, që konsiston me reforma kushtetuese dhe atë zgjedhore janë pjesë e punës që aleatët kanë vendosur në këtë takim të mbrëmshëm. Gjithashtu kjo platformë duhet të përmbajë edhe zgjidhjen apo alternativën që opozita do t’i japë shqiptarëve. Opozita është në opsionin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili një ditë pas takimit hodhi poshtë mundësinë e përçarjes së opozitës, madje ai u shpreh se ata janë më të bashkuar se kurrë. Sipas tij, opozita e bashkuar do të intesifikojë aksionin shumëplanësh dhe se mes tyre kanë dakordësi të plotë për një platformë që zgjidhj krizën.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili


Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi në një prononcim për Gazeta Si shprehet se në këtë takim është folur në përgjithësi në lidhje me platformën që do të hartojë opozita si pjesë e aksionit politik. Sipas tij, brenda muajit do të hartohet një paketë, e cila do të jetë gati me atë që opozita paraqet si alternativë. Për këtë, sipas kryetarit të PAA-së, Agron Duka është vendosur që të organizohen takime në bazë, periodike dhe jo vetëm me kryetarët.
Gjithashtu mësohet se opozita ka stopuar për një periudhë nisjen e protestave nën moton “Rama ik” dhe kjo deri më datën 18 tetor.

Dashamir Shehi, kreu i LZHK

Pikërisht qëndrimi për protesta ose jo do të merret vetëm pasi të flasë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian për negociatat me Shqipërinë. Burimet kanë theksuar se opozita nuk kërkon që t’i japë argumente Ramës në rast se ndonjë vendimi negativ se shkaku i mos çeljes së negociatave apo i dhënies së kushteve të reja është pikërisht opozita, e cila ka nisur protestat dhe po kërkon prishjen e imazhit të vendit karshi ndërkombëtarëve.
Burime të Gazeta Si theksojnë se darka mes aleatëve ka qenë qetë dhe se ato kanë “sheshuar” dhe ndonjë pikëpyetje që kanë pasur. Me batuta ato shprehen se ‘dasmat prandaj bëhen në restorante, pasi në të kundërt do të bëheshin nëpër zyra, ambiente të ftohta”.
Pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, opozita lëshoi disa nga bastionet e saj si qytetet Shkodër Kamëz, Kukës, Tropoja etj, duke bërë që të administrohen nga socialistët. Qëndrimet e liderëve të partive të opozitës kanë qenë të ndryshme jo unike, ku aleatët e PD-së kanë shprehur hapur rezervat e tyre. Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi do të jepte qëndrime të kundërta me ata të PD-së, duke theksuar se ishte e gatshme të hynte në zgjedhje edhe me Ramën si kryeministër. Ndërsa qëndrimi më i fortë do të ishte se nuk janë vasalë të PD-së. Pakënaqësitë vijnë edhe nga Mediu që ka dalë kundër dorëzimin të mandateve të deputetëve dhe se po kërkon një pakt politik për zgjidhjen e krizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë