Njerez

“Dashuria për punën si infermiere e ka kaluar edhe mallin për familjen”

Në veshjen e saj mbrojtëse ajo ka të shkruar thjesht Anxhi, por të gjithë në Infektiv e njohin që larg 25-vjeçaren kur vjen me rrëmbim nëpër korridor, për të asistuar mjekët, për të mjekuar pacientët, apo edhe thjesht për t’u thënë një fjalë të ngrohtë atyre.

“Kanë qenë situata që na kanë bërë të përjetojmë emocione shumë të mëdha. Kemi qeshur e jemi gëzuar për pacientët që janë shëruar dhe kemi qarë për ata që nuk mundën të mposhtin virusin Covid-19,” tregon për Gazetën “Si” Anxhela Murra, një prej infermiereve në Spitalin Infektiv, e cila ndodhet prej kohësh duke u kujdesur për pacientët e prekur nga Covid-19. Sot në Ditën e Infermierit, ajo duket se nuk e ka shumë mendjen se çfarë përfaqëson kjo datë, por sytë i bredh atje te hyrja e spitalit, në dhomat e të cilit e presin pacientët. Gjatë gjithë kësaj pandemie është kujdesur për të gjithë pacientët në pavijon, duke mos kursyer as ndihmën psikologjike për ta.

12 maj në mbarë botën, konsiderohet si Dita Ndërkombëtare të Infermierisë dhe lidhet me ditëlindjen e Florence Nightingale. Ajo është një figurë që përfaqëson forcën udhëheqëse në fushën e infermierisë dhe arritja e saj më e madhe ishte pikërisht transformimi i Infermieristikës në një profesion të respektueshëm për gratë. Me një forcë e përkushtim të pashoq, që e futën atë në radhët e njerëzve më të rëndësishëm të mjekësisë.

Ndoshta mund të duket e tepruar, por kjo forcë shihet ashiqare edhe në sytë e Anxhelës. Ajo tregon se prej 9 javësh nuk është takuar as me familjarët e saj dhe është gjatë gjithë kohës në krye të detyrës.
“E kam parë si zgjidhjen me të mirë të largohem prej tyre që prej 9 javësh dhe besoj se kjo ishte zgjidhja me e mirë për t’i mbrojtur ata dhe ka qenë shumë e vështirë. Malli është pjesa që të mundon më shumë por fatmirësisht kam mundur të shihem me ta nëpërmjet rrjeteve sociale”, thotë infermierja për Gazetën "Si".

Edhe pse është vetëm 25 vjeçe dhe nuk ka shumë kohë që po punon si infermiere (3 vjet), kjo vajzë duket se e do shumë punën. Gjatë kësaj periudhe Anxhela dhe kolegët e saj janë larguar nga shtëpitë e tyre, për të vijuar kujdesin për qytetarët e prekur nga virusi i ri. Që nga fillimi i epidemisë e deri më tani autoritetet shëndetësore kanë bërë me dije se 50 mjekë dhe infermierë janë infektuar nga Covid-19, duke u kujdesur intensivisht për pacientët.
Në këtë ditë, të gjithë i kanë përgëzuar infermierët për punën e tyre të palodhur, ndërsa kreu i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj ka apeluar se infermierët duhet të vlerësohen më shumë në Shqipëri.
“Një infermier është gjithnjë i varur ose nga mjeku, ose nga institucioni ku punon. Dhuna po ashtu është një fenomen shumë shqetësues. Që në ditët e para ka pasur një intestitet më të lartë të punës, për shkak se ne nuk ishim përgatitur më përpara, infermierët kanë sakrifikuar duke lënë dhe familjarët e tyre, e duke iu dhënë ndihmë pacientëve që nuk kanë pranë të afërmit,” është shprehur Jaçaj.

Gjatë viteve të fundit janë diskutuar vazhdimisht kushtet me të cilët punojnë infermierët në vendin tonë. Ndër to edhe arsyet që i çojnë ata drejt largimit në vende të tjera, kryesisht drejt Gjermanisës.
Numri i infermierëve të larguar jashtë vendit është shumë më i lartë se i mjekëve, mbi 3500. Shifra më alarmante ishte ajo e vitit të kaluar, kur u larguan rreth 1600 infermierë, më shumë se numri i të diplomuarve në një vit nga gjithë fakultetet publike dhe private.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë