Politike

“Dashuria”, kryefjala e mesazheve të politikës në 3-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës

Në trevjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, politika në Tiranë ka lënë mënjanë ndasitë e thella dhe e ka nisur ditën me përcjelljen e mesazheve me kryefjalë dashurinë në nder të humanistes shqiptare.

I pari që e kujtoi Shën Nënë Terezën përmes citimeve të saj ishte Presidenti Ilir Meta.

“Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve. Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!", shkruan ai në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e vlerëson si trashëgimia më e madhe dhe fisnike që populli shqiptar i ka lënë qytetërimit sot.

“Frymëzimi që na mëson dhe na nxit të bëjmë çdo ditë gjëra të vogla me dashuri të madhe; simboli që na tregon se madhështia është e thjeshtë dhe thjeshtësiaështë e madhërishme. Sot është dita të reflektojmë se fryma e Shën Terezës duhet të përshkojë më shumë frymën e ligjeve tona përzhvillimin social dhe njerëzor, për mbrojtjen dhe shërbimet sociale, për kohezionin social e territorial, për të ndërtuar një shoqëri solidare, me punë e mirëqenie për të gjithë”, thuhet në mesazhin e kreut të Kuvendit.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Me këtë citim nis mesazhin e tij, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Më tej, kreu i opozitës thotë se kjo ditë duhet të shërbejë si ditë reflektimi, kundër mospërfilljes dhe gjendjes së vështirë të ulur këmbëkryq, sipas tij, në mijëra familje shqiptare.

“Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës”, shkruan ai.

“Bekimi i Zotit dhe Shën Nënë Terezës qoftë me ne, për të na e lehtësuar rrugën për t’u shërbyer sa më mirë bashkqytetarëve tanë dhe për një të ardhme më të mirë për kombin tonë!”, mbyll mesazhin e tij kreu i PD.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të përcjellë një mesazh të shkurtër. “Gëzuar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës”, shkruan ai, duke e shoqëruar postimin me një foto të shenjtores.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kujton një prej citimeve më të famshme të saj dhe duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen nismës së kësaj dite për të ndihmuar njerëzit në nevojë. “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Gëzuar ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës! Bashkohu sot me dhjetëra vullnetarë për të përkujtuar trashëgiminë e saj, duke ndihmuar njerëzit në nevojë”, shkruan Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë