Treg

DASH vlerëson integrimin e tregut energjitik Shqipëri-Kosovë

Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron si histori suksesi dhe shembull për t’u ndjekur në gjithë rajonin integrimin e tregut të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se ky integrim është shembulli i duhur se çfarë mund të arrijë bashkëpunimi mes SHBA dhe BE për një energji të sigurt dhe të pastër.

“Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur një treg të përbashkët të energjisë dhe energjia e rinovueshme është rritur fort. Vendet në rajon po diversifikohen dhe kanë nisur të marrin produktet e sakrificave të tyre”, deklaroi Blinken.

SHBA e vlerëson si jetik bashkëpunimin me BE për të arritur objektivat e energjisë së pastër.

“Kemi punuar ngushtë dhe ndoshta nuk gjen dot asnjë shembull më të mirë të bashkëpunimit mes SHBA dhe BE-së për energjinë e pastër se sa në Ballkanin Perëndimor. Për vite me radhë SHBA ka mbështetur lidhjen e rrjeteve elektrike të këtij rajoni me rrjetin e Bashkimit Europian, që përshpejton tranzicionin nga energjia e qymyrit dhe e lëndëve djegëse në një energji të pastër”, thotë Sekretari i Shtetit, Blinken.

Deklarata e Blinken u bë gjatë punimeve të mbledhjes së fundit të këshillit të përbashkët të energjisë i ngritur mes SHBA dhe BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë