Ekonomi

DASH: Shqipëria përparoi në luftën kundër pastrimit të parave. Shqetësim pasuritë e paluajtshme dhe asetet virtuale

Nga Gazeta ‘SI’ – Duke vlerësuar progresin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, DASH në një raport të fundit thekson se vendi ka ende disa “pika të dobëta”.

Raporti vlerëson përmirësimin e monitorimit të pronarëve përfitues, por theksojnë se ka ende mangësi për sa i përket kazinove dhe agjentëve imobiliarë. Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar, boshllëqeve në kuadrin ligjor dhe pengesave për komunikimet ndërinstitucionale, thotë DASH.

Përhapja e madhe e parasë së thatë, thotë raporti, bashkë me kontrollet e dobëta kufitare lehtësojnë zhvillimin e një tregu kontrabandë të mallrave.

DASH rikujton se ligji i propozuar nga qeveria për bastet sportive online, ngre shqetësime se mbikëqyrja e dobët mund të lejojë krimin e organizuar të depërtojë në këtë aktivitet.

Në raport theksohet se organizatat kriminale shqiptare janë të lidhura direkt me grupe të ngjashme në Europë dhe Amerikë Latine, të cilët “lajnë” paratë në Shqipëri. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe projekteve të tjera të zhvillimit të biznesit.

Pavarësisht disa përparimeve në identifikimin e rreziqeve dhe forcimin e mbikëqyrjes, Shqipëria vazhdon të përballet me sfida në lidhje me sanksionet e përhapjes, monedhën virtuale, trustet dhe rregullimin e jobankave. Gjykatat shpesh refuzojnë të dënojnë për pastrim parash në mungesë të një dënimi për një vepër penale kryesore.

Pavarësisht hetimeve të shumta për pastrim parash, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar në korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimet ekonomike, thekson DASH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë