Politike

DASH: Sanksionet, mjet për të çrrënjosur korrupsionin në Ballkanin Perëndimor

Sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për të çrrënjosur korrupsionin në shtetet e Ballkanit Perëndimor, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Ai këto komente i bëri pasi më 26 shtator, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Prokurores së Shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, Diana Kajmakoviq.

Price tha se një prej qëllimeve të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor është që të punojë me qeveritë për të luftuar korrupsionin.

“Sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm – por jo mjeti i vetëm i rëndësishëm – kur bëhet fjalë për rajonin dhe për qëllimin tonë. Këtë qëllim ne e ndajmë me qeveritë dhe banorët e këtij rajoni, pra për të çrrënjosur korrupsionin”, tha ai.

Sipas njoftimit të Thesarit, Kajmakoviç u sanksionua për shkak të “cenimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit” në Bosnjë e Hercegovinë.

Kajmakoviç është zyrtarja e fundit në serinë e disa zyrtarëve në Bosnjë e Hercegovinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që janë sanksionuar nga SHBA-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë