Politike

DASH përgëzon Haradinajn. Serwer: Dialogu me Serbinë do të shtyhet

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë të shkurtër për Zërin e Amerikës se ka mësuar që Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës. “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e tij të thirrjes për t'u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.
Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.
Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të japë ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.
Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.
Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë çdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tashmë i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.
Dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarrisë edhe më tej përpjekjet për ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serwer: Dialogu me Serbinë do të vonohet
Ndërkaq, eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer tha nga Prishtina ku ndodhet për vizitë, se ishte befasuar nga lajmi i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, me të cilin ishte takuar të mërkurën. “Jam shumë i sigurt që nuk e kishte idenë që do të jepte dorëheqjen të premten”, tha ai. Ai u shpreh se mendon se zoti Haradinaj ka bërë veprimin e duhur por se tani qeveria është në një pozicion të pakëndshëm.

Daniel Serwer

“Do të duhet të presim të shohim nëse kjo do të çojë në zgjedhje të parakohëshme, që opozita i kishte kërkuar gjithsesi dhe që mendoj se mundësua për to është më e madhe tani sesa ishte dje”, tha zoti Serwer për Zërin e Amerikës.
Përsa i takon ndikimit që ky zhvillim do të ketë për një dialog Kosovë-Serbi, është e qartë tha zoti Serëer se një ndryshim qeverie do ta vononte më tej dialogun. “Në këtë drejtim nuk besoj që gjendja bëhet shumë më keq se ç’është aktualisht. E vetmja gjë që mbetet tani, është që të presim se kush do të bëhet kryeministër dhe kush do ta mbajë shumicën në parlament”, tha ai.

Kosnett: Kthehuni në dialog!
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, në një reagim në Twitter, ka thënë se është koha që Kosova dhe Serbia të gjejnë një mënyrë për tu kthyer në tavolinën e negociatave.
“Eksplorimi i hapësirës është një arritje e madhe dhe pambarim. Kështu është edhe ndërtimi i paqes në Botë. Është koha për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një rrugë për t’u kthyer në tavolinën e negociatave”, ka shkruar Kosnett, një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

https://twitter.com/USAmbKosovo/status/1152518838627516417

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë