Arsim

Dalin edhe tezat e matematikës ndërsa maturantët ishin në provim

Rreth 32 mijë maturantë po zhvillojnë testin e matematikës, por  shumë pak minuta pasi ka filluar provimi, tezat janë shpërndarë në rrjetet sociale.

Duket që dalja e tezave gjatë provimit të maturës është bërë një modë tashme. E njëjta gjë ndodhi me provimin e Gjuhë-Letërsisë  disa ditë më parë.  Gjithashtu edhe gjatë viteve të kaluara ka ndodhur e njëjta histori.

Teza është fotografuar nga nxënësit dhe është postuar në rrjetet sociale në orën 10:45 ndërkohë që provimi ka filluar në orën 10:00.   Mesa duket edhe këtë herë ka dështuar kontrolli për sigurinë e provimit.

Kur dolën tezat e provimit të Gjuhë-Letërsisë,  Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR)  deklaroi  se çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore.

“MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar,” shkruante më tej Ministria.

Dhe Ministria e Arsimit duket se do ta bëjë sot të njëjtën deklaratë. Dhe e ka gati nga 7 qershori. Vetëm do të ndryshoje emrin e provimit nga Gjuhë-Letërsi në Matematikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë