Kosova

Daçiç : BE po rrit presionin ndaj Serbisë, po përfshin Marrëveshjen e Ohrit në bisedimet për anëtarësim

Nga Gazeta 'Si'-Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë të premten se Brukseli është duke e rritur trysninë ndaj Serbisë pas kërkesës zyrtare për ta futur Marrëveshjen e Ohrit, me të cilat Beogradi nuk u pajtua, në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Tani po përpiqeni t’ia impononi Serbisë një detyrim përmes Bashkimit Evropian dhe Kapitullit 35, që nëse dëshiron të bëhet anëtare, duhet të ketë të ashtuquajturin zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe pjesën e marrëveshjes me të cilën nuk u pajtua”, tha Daçiç për TV Pink.

Ai tha se Serbia nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit.

“Me deklaratën e presidentit të Serbisë, ai u shkëput nga disa formulime që sugjerojnë se kjo është një lloj njohjeje e Kosovës dhe se jemi dakord që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha Daçiç.

Më 3 shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia dorëzoi Këshillit të BE-së propozimin për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok, duke e futur Kapitullin 35.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë