Kosova

Vendimi për dinarin, SHBA-ja këmbëngul për pezullimin, Vuçiç dhe Kurti përplasen në Këshillin e Sigurimit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të enjten në mbrëmje gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

Me vendimin për ndalimin e dinarit, Kosova po krijon “kushte të padurueshme të jetës për serbët në Kosovë”, tha Vuçiç, duke akuzuar Prishtinën se po kryen “sulme të përhapura sistematike” ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Në një situatë të tillë, pa një reagim të duhur, mund të shkaktohet një dëm i pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, rregullorja e BQK-së është “goditje ndaj mbijetesës së serbëve dhe themelimit të Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Me vendimin për të ndaluar transaksionet për dinarin, regjimi në Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndalon çdo operacion në të gjitha institucionet shëndetësore, arsimore, sociale dhe kulturore, që u mundësojnë serbëve që të kenë gjërat bazë”, tha ai

Vuçiç tha se serbët në Kosovë po përndiqen nga gjyqësori në Kosovë.

Ai pretendoi se mbi 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova. Sipas tij, ata janë larguar për shkak të dhunës sistematike dhe të përhapur ndaj tyre nga institucionet e Kosovës.

Vendimi për dinarin, sipas tij, është shembulli i fundit i përndjekjes ndaj serbëve në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, foli edhe për zgjedhjet lokale të prillit të vitit të kaluar në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Këto zgjedhje, pas bojkotit të serbëve, u fituan nga partitë shqiptare.

Vuçiç tha se situata e serbëve në Kosovë u përkeqësua pas këtyre zgjedhjeve. Ai tha se vetëm 3 për qind e votuesve ishin serbë, duke akuzuar kryetarët shqiptarë se kanë zaptuar komunat. Ne takim perballe tij ishte edhe kryeministri I Kosoves, Albin Kurti.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk ia ndalon Qeverisë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.

“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, rregullorja synon që të ofrojë transparencë dhe ligjshmëri sa i përket importit të parave në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe politikës monetare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu përgjigjur akuzave të Vuçic, tha se gjuha serbe është zyrtare kudo në Kosovë dhe buxheti për komunat ku jetojnë serbët është më i lartë krahasuar me komunat e tjera.

“Ideja që Kosova po kryen fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje është gënjeshtër”, tha Kurti.

Nderkohe, Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se shteti i saj ka shprehur shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Sipas saj, ndërprerja e dërgesave për përfitimet shoqërore duhet të minimizohet “derisa të përfundojë tranzicioni dhe ne po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë serbe që të bashkëpunojë në këtë drejtim”.

Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për "veprimet e pakordinuara të Qeverisë së Kosovës" sa i përket mbylljes së zyrave të institucioneve që Serbia mbështet në Kosovë dhe për mbylljen e zyrës së një organizate joqeveritare serbe në Prishtinë.

"Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë