Analize

Çudi shqiptare, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë nëse është kushtetuese Gjykata Kushtetuese…

Mentor Kasa - Kur Kuvendi votoi Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, e mori si të mirëqënë anëtare të po kësaj gjykate Arta Vorpsin. Por, për Presidentin Ilir Meta Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte shkelur nenin që përcaktonte kronologjinë e emërimeve, ndaj skadimi i afatit 30-ditor, pas të cilit Vorpsi emërohej automatikisht anëtare e Kushtetueses, ishte i pezulluar.

Me këtë logjikë dhe interpretim të Kushtetutës, Presidenti firmosi këtë të mërkurë (13 nëntor) dekretin që emëron Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Xhaferllari renditej e katërta në listën e dytë që KED i kishte dorëzuar Presidentit. Por zhvendosja e emrit të saj në vendin e tretë pas zgjedhjes nga ana e Kuvendit të Fiona Papajorgjit u mor si e mirëqënë nga ana e Presidentit.

E gjithë kjo përplasje e re institucionale Presidencë-Kuvend se kush po e interpreton ashtu si duhet Kushtetutën mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, madje edhe para se kjo gjykatë të rikthehet në funksion. Paradoksi është se njëra mes Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferllarit mund t’i duhet që të vendosë, gjithmonë nëse kjo përplasje nuk merr një tjetër rrjedhë, mbi kushtetueshmërinë e zgjedhjes së vet. Pra, e thënë më thjeshtë, Gjykata Kushtetuese do të vendosë për vetveten nëse është Kushtetuese apo jo.

Gjasat janë që vendi të shkojë drejt kësaj përplasjeje. Në një reagim të parë për A2CNN, Arta Vorpsi, emri i së cilës është botuar në Fletoren Zyrtare si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, tha se ndjehej anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe u distancua nga përplasja Presidencë-Kuvend duke deklaruar se u takon këtyre dy institucioneve që të zgjidhin këtë çështje.

Por, çfarë mund të ndodhë në ditët në vijim? Me këmbënguljen se Arta Vorpsi nuk është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti pritet që të organizojë ceremoninë e betimit të Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca nga ana tjetër mund të përgjigjet duke organizuar në Kuvend ceremoninë e betimit të Arta Vorpsit, Fiona Papajorgjit dhe Elsa Toskës.

Pra, aktualisht Shqipëria është i vetmi vend në botë me dy Kushtetuta. Njëra është Kushtetuta e Presidentit dhe tjera është Kushtetuta e Parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë