Politike

Dy emra për dy karrige! Kuvendi miraton Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin për në Kushtetuese, i voton edhe opozita

Nuk ka asnjë surprizë! Mazhoranca vazhdoi përpara dhe siguroi shumicën e nevojshme të votave për të emëruar në Gjykatën Kushtetuese Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, dy kandidatet e vetme që mbeten në garë nga dy listat që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dorëzoi Kuvendit më 14 tetor për plotësimin e dy vakancave.

Nuk ka asnjë surprizë! Mazhoranca vazhdoi përpara dhe siguroi shumicën e nevojshme të votave për të emëruar në Gjykatën Kushtetuese Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, dy kandidatet e vetme që mbeten në garë nga dy listat që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dorëzoi Kuvendit më 14 tetor për plotësimin e dy vakancave.

LEXO EDHE:
Kuvendi mblidhet për Kushtetuesen, Meta: Do publikoj vendimet kontrabandë të KED
Ngërçi për Kushtetuesen, Hazizaj: Qesharak! KED shkeli Kushtetutën

Elsa Toska mori 105 vota pro dhe vetëm dy kundër, ndërsa Fiona Papajorgji momri 108 vota pro dhe tre kundër. Në të dyja rastet, shifrat tregojnë se pjesa dërrmuese e asaj që njihet si “opozita parlamentare”, mbështeti dy kandidaturat e KED-së.

Lista për vakancën e parë të Kuvendit përbëhej nga Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Besnik Muçi. Vorpsi ndodhej e para edhe në listën e dytë që KED i dorëzoi Presidentit. Ky i fundit nuk dekretoi emërimin e asnjë emri deri kur i përfundoi afati më 7 nëntor. Për mazhorancën, kjo u përkthye në emërim automatik të saj si anëtare, ndaj ajo u përjashtua nga gara. Ndërkohë, Besnik Muçi u zgjodh nga Presidenti në listën e parë që KED i kishte dorëzuar këtij institucioni.

Kjo e la Elsa Toskën të vetme në këtë garë dhe pengesa e fundit ishte sigurimi i 84 votave. Kjo shifër u tejkalua. Votimi preku edhe listën e dytë, ku ishte sërish Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. E para dhe e treta u vlerësuan sërish si të zgjedhura nga mazhoranca, ndaj për votim u hodh vetëm emri i Fiona Papajorgjit. Edhe Papajorgji e tejkaloi shifrën e 84 votave pro, duke u bërë kështu gjyqtarja e pestë e Gjykatës Kushtetuese, të paktën siç këmbëngul mazhoranca.

Votim pa garë

Deputetët nuk patën mundësi zgjedhjeje, por kjo, në interpretimin e mazhorancës nuk përbënte shkelje të Kushtetutës. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja kërkoi që në fillim mbështetjen me votë të Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit.

“Si ligjvënës ne sot duhet të bëjmë detyrën tonë duke mbështetur me votë kandidatet që na ofrohen për votim dhe që për fat të mirë janë dy zonja, që në vlerësimin tim personal dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve i bëjnë nder Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Manja.

Kreu i Komisionit të Ligjeve e vlerësoi si thelbësisht politik dhe jo kushtetues qëndrimin e Presidentit Ilir Meta, që thotë se përcaktimi kronologjik i Kushtetutës kërkon që Parlamenti të zgjedhë një emër dhe më pas Presidenti anëtarin e dytë.

“Kemi një debat me Presidentin e Republikës në këtë fazë të procesit. Si përherë, na paraqitet si debat kushtetues dhe ligjor, por në thelb është konflikt i pastër politik dhe institucional, qysh kur Presidenti i Republikës e lexon Kushtetutën politikisht”, vijoi Manja.

Kreu i Komisionit të Ligjeve e vlerësoi si të gabuar interpretimin juridik të nenit 179 të Kushtetutës nga ana e Presidencës.

“Radha e përcaktuar në nenin 179 pika 2 e Kushtetutës është: të parin e zgjedh Presidenti, të dytin Kuvendi, të tretin Gjykata e Lartë. Radhën e ka përcaktuar Kushtetuta për të shmangur konfliktin institucional mes tre organeve që përfshihen në kompozimin e Gjykatës Kushtetuese. Radha përcakton kompetencën se kush e ka radhën, por jo veprimin kohor se cili organ vepron i pari, cili i dyti dhe cili i treti”, deklaroi deputeti socialist.

Manja tha se radha është përcaktuar për një situatë normale. Ai shtoi se aktualisht nuk bëhet fjalë për një situatë normale, nisur nga fakti që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit për shkak të vettingut. Gjithashtu, Manja shtoi se nëse do të pritej radha, atëherë pasi Kuvendi të zgjidhte një anëtar radha do t’i kalonte Gjykatës së Lartë. Por, kjo gjykatë vetë nuk është funksionale, çka do ta shtyne ngritjen e Kushtetueses me të paktën një vit.

Kreu i Komisionit të Ligjeve këmbënguli se sipas Kushtetutës, Arta Vorpsi është emëruar automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese pas 7 nëntorit, kur Presidentit Ilir Meta i përfundoi afati 30-ditor për të zgjedhur një emër nga lista e marrë nga KED për vakancën e dytë. Ai tha se ky afat as mund të pezullohet dhe as të shtyhet.

“Për anëtarin e dytë, Presidenti i dërgon një letër kreut të Kuvendit dhe KED ku thotë se unë po vetëngrij, po ngrij edhe Kushtetutën dhe do ta bëjë emërimin e dytë pasi Kuvendi të emërojë të parin. Afati 30-ditor as mund të pezullohet dhe as mund të shtyhet”, tha ai.

Qëndrimin e Manjës se Arta Vorpsi është zgjedhur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese e përforcoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo paralajmëroi se çdo veprim tjetër i Presidentit, pasi Kuvendi të ketë bërë zgjedhjen e tij bie ndesh me Kushtetutën.

Këtë qëndrim të shprehur në seancë plenare, socialistët e jetësuan në miratimin e procedurës së votimit, ku emri i Arta Vorpsit iu bashkua Besnik Muçit, duke u hequr nga lista e kandidatëve për t’u votuar.

Por, Presidenti Ilir Meta nuk mendon kështu. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ftoi deputetët që të votojnë për një kandidat dhe u shpreh i gatshëm që brenda 24 orëve të zgjidhte vetë anëtarin e dytë, duke i lënë kohë Kuvendit që gjithashtu të plotësonte vakancën e dytë brenda së mërkurës, pra 13 nëntor, kur Parlamentit i përfundon afati 30-ditor.

Ndërkohë pas votimit në Kuvend, nga Presidenca, reagimi i parë mbërriti nga zëdhënësi, Tedi Blushi. Përmes rrjeteve sociale, Blushi thotë se ky vendim i parlamentit pritej, ndërsa paralajmëron se Presidenti do të flasë me qytetarët pas kthimit nga vizita në Paris.

“Asgjë e re nga fronti i Ramaformës! Presidenti Meta vazhdon vizitën në Paris dhe kur të kthehet në Shqipëri do të ndajë vlerësimet e Tij me qytetarët shqiptarë!”, shkruan ai.

Opozita parlamentare e paqartë, por votoi pro dy kandidaturave

Opozita parlamentare deklaroi se kishte paqartësi proceduriale dhe dyshime mbi përputhjen me përcaktimet e Kushtetutës mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve për në Gjykatën Kushtetuese.

Ralf Gjoni kërkoi që të mblidhet Këshilli i Legjislacionit, ku veç qartësimit të anës proceduriale të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të shqyrtohej edhe nëse zgjedhja e tyre është në përputhje me Kushtetutën apo jo.

“Kushtetuta është e qartë për zëvendësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Ne e kemi të paqartë se mbi bazën e cilës procedurë po zhvillohet debati sot? Në momentin e fundit njoftohemi se ka debat për mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet strikte, siç parashikohet në Kushtetutë. Nuk mund të shkoni për votim pa qartësi proceduriale. Pse nuk ka sot këtu përfaqësues të EURALIU-s, që është marrë me reformën në drejtësi? Pse nuk u mblodh Këshilli i Legjislacionit për të shqyrtuar këtë çështje”, tha Gjoni.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi reagoi duke thirrur mbledhjen e këtij këshilli për të shqyrtuar çështjen në fjalë.

Ndërkohë, Rudina Hajdari u ndal tek listat e dorëzuara në Kuvend nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Ngelim vetëm me dy kandidatë që janë të imponuar nga listat dhe jemi para faktit të kryer. Nuk mund të thyejmë rregulloren dhe ligjin”, deklaroi Hajdari.

Ajo kërkoi që çështja të trajtohet në Këshillin e Legjislacionit dhe u shpreh e bindur se do të gjendet një zgjidhje. Nëse procesi nuk ndryshon, Hajdari paralajmëroi cenim të integritetit të Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht thirrjes se Hajdarit për t'u tërhequr, deputetët e opozitës, votuan pro dy kandidaturave. Vetëm Kujtim Gjuzi dhe Erjon Piciri nuk morën pjesë në votim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë