Interviste

Ç’po ndodh në Shkodër? Voltana Ademi: Do të mbyllim tregun, por duhet të mbyllin fasoneritë

Shkodra vazhdon të jetë një nga qytetet më të prekura nga infeksioni Covid-19. Zyrtarët më të lartë të policisë janë zhvendosur në qytetin e biçikletave për të blinduar masat policore dhe kufizuese ndaj qytetarëve. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj madje paralajmëroi thellim të masave. Sikur mos të mjaftonte kjo, zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari u komandua në detyrë si Prefekt i Qarkut, duke zëvendësuar prefektin e shkarkuar Çesk Millja. Por askush nuk është në gjendje të shpjegojë se përse numri i të infektuarve vazhdon të zgjerojë vatrën e infeksionit në këtë qytet. Vetëm për të dielën policia e Shkodrës preu 80 gjoba ndaj kalimtarëve në rrugë, ndërsa ka ngritur 18 postblloqe.

Sidoqoftë teksa rrugët janë bosh gjatë fashave kufizuese, shumë herë kamerat e vendosura ngado por edhe telefonatat e vetë banorëve, kanë treguar e ilustruar se në brendësi të lagjeve qytetarët grumbullohen dy e tre persona duke mos respektuar distancimin fizik. Por kryebashkiakja e Shkodrës këmbëngul gjatë një interviste me Gazetën “Si” se të infektuarit vijnë nga dy familje dhe se atyre duhet t’u ishin bërë testet me tamponë për të zbuluar në kohë se kush ishin të infektuarit. Veç kësaj, kryebashkiakja njofton se njëri nga tregjet do të mbyllet dhe se në të gjitha rastet kur kanë njoftuar policinë për qytetarët që shkelin karantinimin, policia ka reaguar dhe menjëherë.
Gazeta “Si”: Zonja Voltana, çfarë po ndodh në Shkodër, përse po kthehet në vatër të zgjeruar infeksioni?
Mendoj se të dhënat i janë fshehur publikut që në fillim. Para katër javësh kam kërkuar të bëhet publik sa vetë ishin infenktuar, pasi rezulton që ishin raste që lidhen me tre familje dhe ka diagnostikim shumë të vonuar të familjarëve të vonuar. Imagjinoni 7 nga 13 raste me sa kam informacion unë jozyrtar, se zyrtar s’të jep askush, janë familjarë të tre vatrave që kishim që në fillim. Domethënë kanë kaluar tre javë dhe shëndetësia akoma nuk ka arritur të gjurmojë dhe t’u bëjë testet të gjithëve këtyre familjarëve. Është skandaloze! Ndërkohë kemi katër infermierë dhe mjekë në Spitalin e Shkodrës të infektuar, kemi një të vdekur në reanimacion; është i dyti që vdes në reanimacion por i shtruar për arsye të tjera dhe që vdesin nga Covid-19 dhe kjo prapë është skandaloze. Ndodh që kemi një polic në postën e policisë së Velipojës të infektuar, ndodh që kemi dy gra të fasonerisë të infektuara. As që ka vendim për mbylljen e fasonerive, as ka testim të të gjithë stafeve mjekësore që është dashur të bëhet para tre javëve dhe t’u bëhej testimi të gjithë familjarëve të të infektuarve. Ka një gjë, në hapësirat publike të paktën nga gjurmimi i deritanishëm, nga ajo që na është deklaruar, ne nuk kemi raste domethënë nuk kemi raste në tregje, banka, tregje, as të infektuar në furra buke.

Gazeta “Si”: Pra, është situatë alarmante?
Është e tmerrshme, është urgjente të bëhet publik informacioni zyrtar. Kush merr vendim, të marrë vendim për bërjen e testeve në Shkodër, arsyet se kush duhet duhet ta bëjë, Ministria e Shëndetësisë duhet të dalë me deklaratë për shtyp. Sepse është e patolerueshme që mbas dhjetë ditëve të kemi prapë familjarë të atyre që kishin dalë me Covid-19. Imagjinoni kanë ndenjur dhjetë ditë, nuk janë testuar, janë lënë në shtëpi dhe nuk janë testuar; atyre u dalin shqetësimet e Covid-19.
Gazeta “Si”: Si i komentoni lëvizjet, zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari u komandua në Shkodër?
Të bëjnë detyrën. Por unë mendoj që aspekti që po lidhet me gjurmimin dhe testimin është shumë larg pritshmërive.
Gazeta “Si”: Po bashkia a ka marrë masa?
Po, ne kemi marrë masa për mbylljen e një tregu. Ai treg në Zdrale është me shumë hyrje dhe dalje dhe është i pakontrollueshëm. Numërohen që për të blerë gjatë ditës aty hyjnë 700 veta. Do të mbajmë tregun tjetër që kontrollohet më kollaj, meqënëse duam të ezaurojmë të gjitha detyrimet për kufizimet.
Gazeta “Si”: Po ndërkohë çfarë duhet bërë tjetër?
Testime. Gjithë policia. Gjithë ata të fasonerisë pasi ka të prekur, të gjithë mjekët, të gjithë familjarët e atyre që kanë dalë të infektuar.
Gazeta “Si”: Sot është nisur një ekip epidemilogjie në Shkodër, çfarë prisni?
Nuk kam informacion. Por vetëm para dy ditësh në Hanin e Hotit kanë hyrë 100 qytetarë, ata janë detyruar të karantinohen në hotel. Ndërkohë që nuk dimë nëse e kanë zbatuar karantinën ata që kanë hyrë.
Gazeta “Si”: A mund të ketë lidhje kjo vatër e ndezur në Shkodër me mënyrën e të jetuarit të shkodranëve?
Shumë e rëndësishme është të jepen të dhënat zyrtare se kush ka marrë autorizim për makinat, numri i tyre. Ne monitorojmë qytetin në 12 pika, janë disa pika problematike, ia kemi dërguar policisë dhe ka ndërhyrë. Por fakti që vijnë nga familjet e infektuara, faktori i parë lidhet me mostamponimin e këtyre anëtarëve dhe pastaj lëvizja. Ata duhet të ishin testuar të gjithë. Do t’i kishin kuruar që të 20 atëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë