Motosport

Covid-i fshin nga kalendari garat në Australi të Formula 1 dhe MotoGP

Ndryshime të tjera në kalendaret e kampionatit 2021 për shkak të Covid-19, si për Formula 1, ashtu edhe për MotoGP. Garat e programuara në Australi, respektivisht në Melburn dhe në Philip Island, nuk mund të zhvillohen.

Për shkak të masave shtrënguese në lidhje me udhëtimet dhe vështirësive logjistike, Formula 1 dhe “Dorna” kanë vendosur të anulojnë nga kalendari 2021 Çmimin e Madh të Australisë për të dyja kategoritë. F1 këtë vit nuk do të zbarkojë në Melburn, kurse MotoGP duhet të heqë dorë nga cirkuiti spektakolar i Phillip Island.

Makinat e Formulës 1 duhet të garonin në cirkuitin e Melburnit nga 19 deri në 21 nëntor, pas Çmimit të Madh të Brazilit dhe para atij të Arabisë Saudite. Pas anulimit të fundit të garës në Singapor, që u zëvendësua menjëherë me atë të Turqisë për të mbajtur 23 gara në kalendar, organizatorët e F1 janë të detyruar të anulojnë edhe Australinë. Ende nuk dihet, nëse do të gjendet një circuit zëvendësues për këtë garë për të mos e prishur programin e 2021-shit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë