Politike

Covid-19, Vokshi: 160 mësues e staf, dhe mbi 100 nxënës të infektuar në 2 javë

Me përfundimin e javës së dytë të vitit të ri shkollor, Albana Vokshi thotë përmes një dalje për mediat se, situata në shkolla në të gjithë vendin është përkeqësuar

“Nga informacionet që disponojmë nga të gjitha shkollat e vendit, rreth 160 mësues dhe staf, si dhe mbi 100 nxënës janë të infektuar, por nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit.

Përkundrazi! Drejtuesit militantë në shkolla e mbajnë të fshehtë informacionin, me qëllim që të mbulojnë dështimin e partisë në pushtet me hapjen e shkollave pa asnjë plan", tha Vokshi.

Sipas saj, numri real duhet të jetë shumë më i lartë për dy arsye:

 1.   Tamponimi është bërë pak ose aspak

2.    Edi Rama ka urdhëruar kodin e heshtjes. Asnjë drejtues nuk bën transparencë e nuk informon stafin mësimor, prindërit e nxënësit duke krijuar një situatë shumë të rënduar psikologjike, tha ajo.

Vokshi rendit katër probleme kyçe:

1. Nuk respektohet protokolli I sigurisë së shëndetit.

Në shkolla nuk ndiqet radha e veprimeve për të testuar çdo kontakt, karantinuar dhe shkëputur zinxhirin e infeksionit.

2. Kushtet higjieno sanitare vazhdojnë të jenë të mjerueshme.

Në rreth 90% të shkollave mungojnë kushtet më elementare, si uji i rrjedhshëm dhe sapuni.

3. Dezinfektimi midis turneve nuk bëhet dhe nuk sigurohen as maska, as dezinfektantë.

Nxënësit dhe mësuesit i kane blerë vetë maskat dhe dizenfektantët, duke rritur kostot e familjeve, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka investuar asnjë qindarkë për sigurinë e tyre.

4. Mësuesit janë të mbingarkuar, duke rrezikuar uljen e cilësisë së mësimdhënies”

Partia Demokratike kërkon që të bëhen testime masive serologjike e tamponim për të gjithë mësuesit dhe stafin ndihmës në çdo shkollë të vendit, të mos lejohet zhvillimi i mësimit në ato shkolla, ku nuk përmbushet asnjë kusht higjeno sanitar, të sigurohet dezinfektim për ambientet shkollore dhe maska falas për çdo mësues, si dhe të kontraktohen mësues shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë