Ne rrjet

Covid-19, situata në Britani dhe Europë po arrin pikën kritike

Ekspertët britanike i kanë bërë thirrje të drejtpërdrejtë sot publikut të tregojnë kujdes maksimal, duke paralajmëruar se tendenca e koronavirusit në Britaninë e Madhe dhe Europë po shkon në drejtim të gabuar dhe është duke arritur një pikë kritike.

Ndërkohë që qeveria britanike po mendon rikthimin e izolimit në mbarë vendin për të përmbajtur rritjen e rasteve të reja, zyrtari kryesor mjekësor në Britaninë e Madhe Chris Whitty, i ka nxitur  njerëzit të bëjnë kujdes. "Ne po shikojmë të dhënat për të parë se si të menaxhojmë përhapjen e virusit përpara periudhës sfiduese që na pret në dimër", deklaroi ai. Londra mund të bëhet zona e fundit që do t'i nënshtrohet kufizimeve rajonale, me kryetarin e bashkisë, Sadiq Khan, që ka bërë thirrje për izolimin e vatrave të nxehta.

"Situata po përkeqësohet... është më mirë që të marrim masa përpara se të jetë shumë vonë”, deklaroi ai.

Ndërkohë që Covid-19 po prek të gjitha grup-moshat, rastet në Britani po dyfishohen çdo javë. Qeveria britanike thotë se kufizimet e reja të ashpra do të jenë të pashmangshme nëse situata nuk përmirësohet.

Whitty e ka krahasuar situatën në Mbretërinë e Bashkuar me vendet e tjera europiane si Franca dhe Spanja, të cilat kanë parë po ashtu një rritje të shpejtë të rasteve të reja, duke çuar edhe në rritjen e numrit të viktimave. Britania e Madhe shënoi 3.899 raste të reja dhe 18 viktimave të dielën.

Një opsion që mësohet se po diskutohet nga qeveria britanike është nxitja e punonjësve të punojnë nga shtëpia. Po ashtu qeveria e Boris Xhonson pritet të vendosë kufizime në orarin e hapjes së restoranteve dhe bizneseve të tjera që nuk janë thelbësore.

Më shumë se 13 milion njerëz në Anglinë Veriore, Midlands, Skoci dhe Uells tashmë po përballen me një formë bllokimi lokal. Ministrat janë gjithnjë e më shumë të mendimit se kjo nuk do të mjaftojë, megjithëse burimet qeveritare theksojnë se çdo mbyllje e re do të ishte më e "sofistikuar" sesa vendimi drastik i "qëndrimit në shtëpi" që u vendos në mars. "Ne dimë më shumë për virusin tani dhe si dhe ku përhapet," thonë ekspertët që këshillojnë qeverinë.

Disa ministra kanë paralajmëruar Xhonson të parashikojë edhe dëmin e mundshëm ekonomik që mund të sjellin kufizimet drakoniane..

Frika në kombin ishullor rreth rritjes së pakontrolluar të rasteve me koronavirus është shtuar edhe për shkak të mangësive në sistemin e testimit.

Sindikata Kombëtare e Arsimit paralajmëroi se mbajtja e shkollave plotësisht të hapura mund të bëhet po ashtu një faktor që do të cojë në paqëndrueshmëri, veçanërisht në zonat e nxehta, pasi një numër në rritje i mësuesve dhe nxënësve po vetizolohen me simptoma të ngjashme me Covid-19, vetëm dy javë pas hapjes së tyre.

Matt Hancock, ministri britanik i Shëndetësisë, paralajmëroi se Britania kishte arritur një "pikë kthese" dhe nuk përjashtoi një karantinë tjetër kombëtare. Në një seri intervistash, ai tha se publiku kishte vetëm dy zgjedhje: të respektonte kufizimet ose të hynte sërish në karantinë.

“Nëse të gjithë ndjekin rregullat, dhe ne do të jemi gjithnjë e më të rreptë ndaj njerëzve që nuk janë duke ndjekur rregulla, atëherë ne mund të shmangim bllokimet e mëtejshme kombëtare" tha ai për BBC. “Por ne, natyrisht, duhet të jemi të përgatitur për të ndërmarrë veprime ekstreme nëse është e nevojshme. Nuk e përjashtoj karantinën karantinën”.

Lideri i Laboristëve Sir Keir Starmer, duke iu përgjigjur deklarata të Hancock, i kërkoi qeverisë të "ndalojë së hedhuri fajin qytetarëve dhe të zgjidhë krizën shëndetësore. Dënimet për ata që nuk vetëizolohen janë duke u rritur në një maksimum prej 10,000 paundësh, ndërkohë që qeveria po u jep të varfëve nga 500 paund që duhet të vetëizolohet.

Kur Hancock u pyet nëse njerëzit duhet të raportojnë fqinjët e tyre për mosrespektim të karantinës, ai tha se kjo ishte detyrë qytetare./The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë