Politike

Covid-19, Rama sinjalizon zgjerimin e paketës financiare

Kryeministri Edi Rama sinjalizon zgjerimin e paketës financiare për përballimin e pasojave të koronavirusit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shfaqet në komunikim, sipas tij, me bankat e nivelit të dytë për kreditimin pagave të punonjësve të biznesit që është i mbyllur, ku Qeveria del garante.

“Me bankat për paketën financiare të luftës, vënien menjëherë në lëvizje të instrumentit të garancisë sovrane për pagat e punonjësve që nuk shkojnë dot në punë. Zgjerimin e paketës gjatë muajit prill”, shkruan ai.

Megjithatë, garancia që i jep Qeveria që biznesi të marrë kredi nuk e josh këtë të fundit. Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Biznes Albania kanë depozituar zyrtarisht pranë qeverisë një platformë me 20 kërkesa që sipas tyre janë masa lehtësuese dhe mbështetëse për të kapërcyer situatën e rëndë që ka kapluar vendin.

Mes këtyre pikave është edhe kërkesa që në rast të bllokimit të aktivitetit, paga e punonjësve të mbulohet nga fondet e shtetit dhe jo përmes kreditimit, pa qenë e nevojshme që ata të pushohen nga puna. Sipas biznesit, kjo do t’u garantonte jetesën në këtë moment të vështirë dhe mundësinë për të mos humbur vendin e punës.

Të njëjtën kërkesë ka përsëritur edhe sektori i turizmit, që në këtë periudhë karantinimi dhe ndalim-qarkullimi konsiderohet si një ndër sektorët më të goditur në vend.

“Prej paketës së shpallur nga qeveria, ne përfitojmë vetëm nga garancia solidare, që do të thotë të marr borxh për pagat. Kjo nuk është zgjidhje. Shteti duhet të mbështesë me asistencë të gjithë punonjësit të paktën për tre muaj. Vendet e tjera do ta bëjën këtë gjë plus lehtësirave të tjera fiskale. Këtë situatë nuk e përballon dot kush, do të nisim të shkurtojmë staf”- thotë për gazetën “Si”, Eva Rama, pronare e një agjencie turistike.

Ndërkohë, zgjerimi i paketës financiare është edhe një prej kërkesave kryesore të Partisë Demokratike. Një ditë më parë, Lulzim Basha kërkoi që Qeveria të trefishojë fondin. Sipas Bashës, me paketën aktuale përfiton më pak se një e treta e biznesit, ndërsa pjesa tjetër nuk merr asgjë, pavarësisht se kriza i ka lënë me aktivitetet thuajse zero. Kreu i PD-së kërkoi që në skemë të përfshihen edhe bizneset që u lejohet ushtrimi i aktivitetit, pasi siç tha, në këtë kohë të ndalimit të lëvizjeve, kjo kategori nuk mbulon dot as shpenzimet e veta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë