Biznes

Turizmi: S’marrim kredi për pagat e punonjësve, me ta të merret shteti

Bizneset e turizmit parashikojnë papunësi drastike dhe të menjëhershme me bllokimin e kufijve

Sabina Veizaj - Floria ka një agjenci turistike që klasifikohet në kategorinë e biznesit të vogël, ku ajo bën edhe trajnime në fushën e turizmit.

Ajo e ka mbyllur biznesin sepse të gjitha udhëtimet nga aeroporti i Rinasit janë anulluar duke nisur nga dita e sotme (e hënë), por ajo duhet të paguajë qiranë e mjedisit ku ka veprimtarinë, pagën e punonjësit të saj, dritat, ujin, taksat dhe tatimet, qiranë e shtëpisë, shkollën e djalit dhe ushqimin.

Floria Marini

“Si do ti paguaj unë të gjitha këto ndërsa i kam vënë drynin biznesit?”- pyet Floria.

Ajo tregon për Gazetën “Si” se ka pyetur ekonomisten e saj nëse përfiton nga paketa e ndihmës së qeversië, por ekonomistja i ka thënë se ajo çfarë është bërë publike nuk është e qartë.

Floria thotë se ajo që i duhet në këto momente është që qeveria ta mbështesë me pagimin e qirasë dhe rrogën për punonjësin që tashmë është në shtëpi, jo për dëshirën e tij.

“Unë për momentin vijoj të japë mësimet e trajnimeve on line, nuk e di se sa do të  vazhdojë të kenë interes kursantët. Por për ata që nuk kanë asnjë mundësi tjetër si do të mbijetojnë?”- pyet Floria.

Të njëjtin shqetësim ka edhe Eva Rama. Edhe ajo zotëron një agjenci turistike.

“Prej paketës së shpallur nga qeveria, ne përfitojmë vetëm nga garancia solidare, që do të thotë të marr borxh për pagat. Kjo nuk është zgjidhje. Shteti duhet të mbështesë me asistencë të gjithë punonjësit të paktën për tre muaj. Vendet e tjera do ta bëjën këtë gjë plus lehtësirave të tjera fiskale. Këtë situatë nuk e përballon dot kush, do të nisim të shkurtojmë staf”- thotë Eva Rama për gazetën “Si”.

Rama tregon se shpenzimet e biznesit të saj çdo muaj mes detyrimeve e faturave të tjera janë afro 5000 mijë  euro në muaj.

Eva Rama

Ajo thotë se në këto momente asaj dhe të gjithë bizneseve i nevojitet kredi me 0 interes “dhe jo me interes sado e butë qoftë se nuk kemi asnjë të ardhur dhe nuk e dimë kur do fillojmë të punojmë, subvencionim të sigurimeve kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Shumat e kredisë të variojnë nga 5000 euro për bisnesin e vogël dhe deri në 50,000 euro për të madhin (kjo është e diskutueshme dhe mund të përshtatet me nevojat tona)”

Edhe Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) shprehet për Gazetën “Si” se situata është shumë keq. “Nuk e dimë se si do shkojë kjo punë”, thotë ai.

Të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës janë ndërprerë sot (të hënën), me përjashtim të atyre udhëtimeve që kanë si destinacion Stambollin me kompaninë ‘Air Albania’.

Sipas të dhënave të publikuara nga aeroporti i Rinasit, që prej ditës kur është urdhëruar izolimi i vendit për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, numri i pasagjerëve ka rënë me 85% dhe numri i fluturimeve me 80%, duke shënuar për herë të parë rekord në rënien e fluksit të udhëtimeve në Shqipëri.

Por, aeroporti do të mbetet i hapur për transportin e mallrave, fluturimet humanitare dhe ato të riatdhesimit.

Pak ditë më parë Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit me qendër në Londër paralajmëroi se sipas vlerësimeve të fundit, rreth një milion vende pune në industrinë e udhëtimeve dhe turizmit po humbasin çdo ditë për shkak të efektit të pandemisë së koronavirusit.

Humbjet në rritje të vendeve të punës po ndikojnë në çdo nivel të industrisë dhe po e rrisin ritmin, teksa vendet janë të bllokuar për të luftuar përhapjen e virusit të ri.

Deri në 50 milion vende pune në të gjithë botën janë në rrezik të menjëhershëm, me 320 milion vende pune përballen me ndikimin e humbjes dramatike në mes bizneseve.

Mbyllja e madhe e hoteleve, pezullimi i shumicës së fluturimeve ajrore ndërkombëtare dhe vendase, pezullimi i lundrimeve dhe ndalimet në rritje globale të udhëtimeve në përgjithësi kanë një efekt katastrofik ‘domino’ duke goditur një numër të madh të furnizuesve në të gjithë botën.

Besnik Vathi nga  agjencia ATHS tregon për një gjendje alarmante ekonomike veçanërisht në sektorin e turizmit.

Ai thotë se edhe në Shqipëri në këtë sektor do të ketë papunësi drastike dhe të menjëhershme dhe falimentim të shumë biznesve.

Besnik Vathi

“Sektori i turizmit është specifik. Përherë kur dëmtohet Ekonomia, ata sektorë që preken më shumë janë ata të argëtimit. Turizmi ka karakteristika specifike dhe mbështetja për të duhet të jetë e tillë. Vendet e tjera do të paguajnë pagat e punonjësve deri në 80%. Ne nuk kërkojmë nga qeveria të paguajë punonjësit në  vlerë absolute të krahasueshme me vendet e tjera, por në vlerë relative, në përqindje po. Ata kanë buxhet dhe ne kemi buxhet. Sipas standarteve secili vend bën atë që mundet. Ne nuk mund më ta përballojmë situatën sëbashku. Në këtë situatë unë mendoj për vete dhe për familjen time, për punonjësit nëse do, të mendojë shteti. Asnjë biznes nuk merr borxh në banka për të paguar rrogat e punonjësve kur nuk ka punë”- shpreht për gazetën “Si” Z. Vathi.

Teksa tërmeti dëmtoi imazhin e disa hoteleve në vend, të cilët u shkatërruan, thotë Z. Vathi, Koronavirusi ka dëmtuar klientin që vjen në Shqipëri; atë Italian, Gjerman, Kinez “ e mbi të gjitha turistin tonë, atë që preferonte Shqipërinë, moshën e tretë”.

Sipas tij kriza në sektorin e turizmit dhe udhëtimeve nuk ka nisur kur koronavirusi u përhap në Itali apo në fillim të marsit kur u deklarua zyrtarisht pacienti i parë i infektuar me Covid-19.

“Turizmi ka një veçori. Ai preket nga frika. Dhe tek ky sektor kriza ka nisur që kur virusi i ri u përhap në Kinë. Dhe më e keqja është që nuk ka një projeksion sa do të zgjasë sepse turizmi nuk është lokal apo restorant që sa përfundon karantina nis punën dhe e parashikon periudhën e rehabilitimit. Ne nuk e kemi luksin e ringritjes së shpejtë. Por tani nuk jemi në këtë fazë, jemi në atë të shpëtimit dhe qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze. Ajo paketë nuk e ndihmon bzinesin. Ne parashikojmë që të paktën të gjithë vitin do ta kemi pa punë”, thotë zoti Vathi.

Ai kërkon nga qevria që të marrë përsipër pagesat e punonjësve në masën 60% të pagës së çdo punonjësi, të pezullohen tatimtaksat dhe pagesat e tjera për aq kohë sa do të vazhdojë izolimi dhe nuk do të ketë punë, shteti duhet të përjashtojë nga taksa e qirasë qiradhënësit e bizneseve ndërkohë që veprimtaria është bllokuar dhe kredi me zero interes.

Nëse qeveria nuk mbështet seriozisht, me transparencë dhe konkretisht biznesin, thotë Vathi, situata ka për të qenë seriozisht shumë alarmante ku njerëzit e papunë nuk do të kenë mudnësi as të hanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë