Lajme

Covid-19, Meta i kërkon Qeverisë: Urgjent një strategji të re

Pas vdekjes së mjekut të dytë nga koronavirusi në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta i kërkon Qeverisë hartimin me urgjencë të një strategjie të re, efikase e transparente që vendi të përballojë pandeminë.

“Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor. Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik”, thotë Meta.

Presidenti thotë se çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe ekonominë e vendit.

“Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, shton ai.

Meta kërkon forcim të bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe bashkive, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar masat e sigurisë dhe udhëzimet e tjera të autoriteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë