Histori

Corinna dhe Schumi, privatësia, fëmijët dhe vilat e shitura!

Spekulime kundër privatësisë. Janë këto dy elementë që rrethojnë familjen Schumacher në këto thuajse pesë vjet, ose më saktë që nga ai incident në pistën e skive të 29 dhjetorit 2013, që ka ndryshuar në mënyrë dramatike jetën e pilotit më të dashur dhe fitues të të gjitha kohëve. Nga njëra anë Corinna, bashkëshortja e Michael-it, e vendosur në heshtjen e saj: nga ana tjetër, ka nga ata që kërkojnë të përhapin lajme false ose pjesërisht të vërteta. Si ajo e publikuar së fundmi nga revista gjermane “Bunte”, që tregon një letër të shkruar pikërisht nga Corinna për muzikantin Sasha Herchenbach, autor i një kënge të dedikuar kampionit gjerman. “Michael është një luftëtar dhe nuk do të dorëzohet asnjëherë, faleminderit për dhuratën tuaj dhe mbështetjen në këto momente”.

Zgjedhje personale

Sa keq që letra është shkruar disa vjet më parë dhe që bëhet fjalë për një përgjigje standarde nga shumë adhurues të Schumi-t, të cilët dërgojnë mesazhe solidariteti. Një gjest për t’u vlerësuardhe jo një zbulim ekskluziv, siç shpjegon Sabhine Kehm, e cila si menaxhere e Michael-it, është shndërruar në një mikeshë dhe tutore të familjes Schumacher. Corinna hesht, e bën prej kohësh, duke revolucionarizuar ekzistencën dhe rolin  e saj. Si bashkëshorte që vuan nën hijen e një ylli absolut dhe kryefamiljare e përkushtuar dhe autoritare. Kurajoze dhe vendimmarrëse kur është fjala për të menaxhuar vilën “Gland”, pak larg Gjenevës, një klinikë (shumë e shtrenjtë) për të asistuar bashkëshortin në shtëpi, por edhe për të shitur disa asete familjare (avion personal, vilë në Norvegji, shtëpi në Maribel, në Francë), si dhe të kujdeset për dy fëmijët.

Schumacher dhe bashkëshortja Corinna

Qendrat e hipizmit

Mick (djali), i lindur në 22 mars 1999, duke ndjekur gjurmët e babait, kampion i sapo shpallur europian i F3, shoqërohet nga Sabine dhe nga një mik i vjetër i Schumi-t, Peter Kaiser, ndërsa Gina Maria (vajza), e lindur në 21 shkurt 1997, formon me nënën e saj një dyshe të bashkuar dhe të pandarë. Është ky pasioni i vërtetë i Corinna-s, që e ka bërë atë të zhvillojë dy qendra hipizmi në Girvins, në Zvicër dhe në Gordonville, në Teksas. Specialiteti: “Reining”, që do të thotë dy evolucione tipike prej “cowboy”, që kërkojnë shpejtësi dhe forcë. Një disiplinë e përsosur për Gina Marian, fituese e një titulli botëror. Edhe pse është ajo që ka marrë karakterin e të atit, më shumë se i vëllai, i cili manifeston ndonjëherë një ëmbëlsi të trashëguar nga nëna e tij.

“Scoop”-et false

E ëmbël, Corinna. Jo vetëm luftarake. Kundër një fati të keq në mënyrë të papritur, kundër atyre që kanë tentuar deri tani në çdo mënyrë të përdorin edhe drone fluturues mbi rezidencën e vilës-klinikë, për të cenuar privatësinë e ish-kampionit që dergjet në shtrat në gjendje kome. Sjellja e saj pas incidentit të bashkëshortit, në fillim ka befasuar jo pak njerëz, por më pas ngjalli adhurimin e atij grupi të vogël miqsh që po e shoqërojnë në këtë udhëtim të dhimbshëm. Mes tyre: Jean Todt, Ross Brawn, Stefano Domenicali, Luca Badoer, Jean Alesi, shokë të pistës, të jetës, nënshkrues të një pakti të heshtur: asnjë fjalë, asnjë burim mbi gjendjen e mikut të tyre në gjendje të rëndë. Përkundër atyre që përpiqen të transformojnë një letër të vjetër falënderimi në një zbulim të papritur. Në fund të fundit, “scoop”-et false janë të shumta në jetën e Schumacher dhe për fat të keq dhimbjen më të madhe po e kalon familja e tij.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë