Politike

Conte-Zaev: BE gabim historik me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

“Italia nuk i kupton arsyet konkrete për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut". Kjo ishte deklarata e kryeministrit italian pas takimit me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në Pallatin Chigi.
Pas bisedimeve me Zoran Zaev, Conte e ka cilësuar një gabim historik mos hapjen e negociatave, duke thënë se të dyja vendet e meritojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe se data e negociatave duhet të rishqyrtohet.
“Ne nuk i kuptojmë arsyet konkrete të shtyrjes së këtij vendimi. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Unë e konsideroj një gabim shumë të rëndë historik të cilin ne duhet ta korrigjojmë shpejt. Shkupi tashmë ka nënshkruar traktate me Greqinë dhe Bullgarinë", tha Conte.
Kryeministri deklaroi se Italia do të vazhdojë të luftojë në nivelin europian për t’u siguruar që negociatat të hapen sa më parë.
Zaev nga ana tjetër ka falënderuar Italinë për lobimin në favor të negociatave.
"Ne vlerësojmë përpjekjet e Italisë për të filluar procesin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. E gjithë BE-ja u pajtua se ky kishte një gabim historik. Ky gabim mund të rregullohet nëse ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku. Ne dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet me vendet fqinje dhe ta bëjmë vendin tonë një vend modern. Ne duam të krijojmë të gjitha kushtet për të qenë pjesë e unionit", përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë