Treg

Çmimi i bukës rritet me 10 deri 20 lekë. Pronarët e furrave: U rrit çmimi i miellit

Nga dita e hënë e 6 shtatorit, në disa furra buke në Tiranë dhe Durrës, buka është tregtuar me 10 lekë më shumë duke shkuar në 90 lekë nga 80 që ishte më herët.

Pronarët e furrave të bukës thonë se kjo rritje ka ardhur si pasoje e rritjes së çmimit të miellit, i cili në vend ka qenë në nivele të ulëta dhe rrjedhimisht është tregtuar nga jashtë. Kostos së miellit të importuar i është shtuar edhe kosto e sasisë së ulët të grurit edhe në Europë, duke prekur konsumatorët.

Nga të tjera të dhëna nga tregu, disa pika tregtare të bukës e kanë rritur me 20 lekë duke e shitur me 100 lekë një bukë, ndërsa disa të tjerë gjatë muajit gusht e ulën me 10 lekë, duke e çuar në 70 lekë.

Një nga punonjëset e një furre buke tregon se në biznesin e tyre kanë pasur rritje të pothuajse të të gjitha produkteve, ëmbëlsirave, ushqimeve të shpejta dhe bukës. Por sië thotë ajo në konfidencialitet, ëmbëlsirat më çmim të rritur deri në 20 lekë janë shitur më pak që nga mesi i gushtit, por tregu i bukës nuk mund të lëvizë.

Në një komunikim të mëhershëm të Gazetasi.al me subjektet tregtare të bukës në kryeqytet, kur nisën luhatjet e para të çmimit të bukës, pronarët e tyre thanë se edhe nëse ndodh një gjë e tillë, në Shqipëri do të pasqyrohet me vonesë sepse të gjitha furrat furnizohen për minimalisht 1 muaj. Kostoja e lartë erdhi më herët.

Disa muaj më parë, në vendin tonë u rrit me 10 lekë edhe çmimi i qumështit me nënproduktet e tij, përsëri si pasojë e shtrenjtimit të lëndëve të para dhe atyre paketuese.

Konsumatorët paguajnë kosto shtesë për produktin final dhe lëndët e përdorura gjatë të gjithë procesit, për të marrë të njëjtën cilësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë