Futboll

Cili është Ahmataj i vërtetë, ai i së shtunës apo i së dielës?

Julian Ahmataj mbetet në detyrë. Një ditë pas humbjes në Korçë, trajneri elbasanas bëri prapakthehu, duke mohuar atë çfarë kishte thënë në linjë direkte pas asaj disfate. Ahmataj u shpreh se kishte paraqitur dorëheqjen te presidenti Refik Halili, akuzoi se kishte nga ata lojtarë që nuk dëshironin të preknin topin, që mendojnë se si të heqin trajnerin dhe se në këto kushte është e pamundur të punohet.

Një ditë më pas ai u shfaq krejtësisht ndryshe. Tha se presidenti Halili i ka kërkuar të vazhdojë punën dhe se te Tirana nuk ka ndërhyrje te trajneri për formacionin. Një situatë vërtet komike që vetëm sa vërteton për të disatën herë se klubi më i titulluar në vend ka probleme serioze. Cilin Ahmataj duhet të besojmë, atë pas humbjes në Korçë të shtunën? Apo Ahmatajn e së dielës në mbrëmje, i kundërt me atë të një dite më parë? Të gjithë ata që e ndjekin sadopak futbollin në vend dhe sidomos tifozët e Tiranës e kanë shumë të qartë se çfarë ndodh me ekipin e tyre të zemrës tani e prej shumë vitesh. Mjafton të shihje komentet në faqen zyrtare të klubit pas ndeshjes në Korçë.

Trajneri Ahmataj dhe sulmuesi Ngo në stërvitje. Gazeta Si, 25 nëntor 2019

Sigurisht, Ahmataj i vërtetë ishte ai i së shtunës. Tha atë që mendonte, pa u ndikuar nga askush. Për t’u habitur është se si “burrëria” e tij u zhvlerësua një ditë më pas. Ndikimi i të gjithë faktorëve të asaj që në kryeqytet quhet “familja bardheblu” ia kanë prishur mendjen elbasanasit, madje e kanë bërë të kërkojë falje. Dhe të gjithë qeshën teksa e dëgjonin të fliste ditën e diel, veçanërisht ata që e njohin Julian Ahmatajn.

Çfarë mund të ketë ndodhur? Me siguri drejtuesit e Tiranës janë vënë në siklet të madh pas deklaratave të trajnerit. Të ndërronin sërish trajner vetëm pas katër javësh do të ishte e tepërt, do ta ulte dinjitetin e klubit edhe më shumë. Pastaj, sa garanci do të kishin tek ai që do të pasonte Ahmatajn? Nëse do të vinte një trajner tjetër, - i treti për 13 javë pas Memës dhe Ahmatajt, - dhe situata do të mbetej e njëjtë, klubi thjesht do të shtonte një tjetër figurë në “pazëllin” e krizës së pafundme bardheblu.

E gjitha kjo ndodh në prag të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme, siç janë ato me Kukësin dhe Partizanin. Në këto kushte, varianti më i mirë për drejtusit e Tiranës ishte qëndrimi i Ahmatajt, edhe pse deklaratat e tij ditën e shtunë mund të mos jenë pëlqyer. “Bashkëjetesa” mes palëve vështirë të ketë stabilitet, por për momentin duhet të vazhdojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë