Kuriozitete

Cilat janë 10 kafshët më të forta në botë

Nga Gazeta 'Si'-Cila është kafsha më e fortë në botë? Një pyetje me rëndësi, sidomos nëse jeni duke ndërruar shtëpi, dhe nuk ua mban xhepi që të paguani enkas një kompani për zhvendosjen e mobilieve. Por le ta marrin si shembull, se një kafshë mund t’iu ndihmojë që t’i lëvizni ato.

Cilën prej tyre do të zgjidhnit? Cila kafshë është më e fuqishme? Cila prej tyre mund të ngrejë më shumë peshë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje më të rëndësishme, ne kemi përpiluar një listë të kafshëve më të forta sot në planet.

10. Shqiponja Harpi, mund të ngrejë deri 18 kg (dyfishi i peshës së saj trupore)

Shqiponja femër Harpi, është zogu më i fortë në botë. Femra është më e fortë se mashkulli, dhe mund të ngrejë objekte me peshë deri në 18 kg, pra afërsisht sa dyfishi i peshës së saj trupore. Kjo aftësi është e dobishme kur e zgjedh gjahun, dhe mund të nënkuptojë se ka shumë më tepër larmi kafshësh për t’i gjuajtur.

9. Leopardi, mund të ngrejë 125 kg (afro 2-fishi i peshës së tij trupore)

Një leopard mashkull peshon mesatarisht 30-70 kg, dhe më të mëdhenjtë janë në gjendje të ngrenë deri 125 kg, duke përdorur muskujt e tyre të fortë të nofullave, këmbët dhe kthetrat e fuqishme. Leopardët kanë nevojë për këtë forcë për ta tërhequr deri lart në pemë gjahun e tyre, që të mos ua marrin rivalët. Kjo pasi ata nuk janë aq të fuqishëm sa tigrat dhe luanët. Kjo aftësi i ndihmon ta ruajnë ushqimin për ta konsumuar më vonë.

8. Ariu polar, mund të ngrejë 450 kg (0.7 herë sa pesha e tij trupore)

Arinjtë polarë meshkuj të rritur mund të peshojnë 300-700 kg. Ndërkohë femrat peshojnë më pak, 150-350 kg. Ata kanë nofulla shumë të fuqishme për gjueti, megjithëse nuk janë shumë të aftë në kapjen e fokave, gjahun e tyre të preferuar. Arinjtë polarë nuk kanë natyrshëm frikë nga njerëzit, gjë që i bën ata shumë të rrezikshëm.

7. Luani, mund të ngrejë 450 kg (afërsisht sa 2-fishi i peshës së tij trupore)

Luani është sinonim i fuqisë dhe i aftësisë në gjueti. Dhe kjo për arsye të forta. Luanët meshkuj të rritur plotësisht, mund të peshojnë midis 150-250 kg, ndërsa femrat 120-180 kg. Nofullat e tyre të fuqishme dhe muskujt e këmbëve, nënkuptojnë se këto kafshë mund të tërheqin në distanca të shkurtra kafshë më të mëdha se vetja.

6. Ariu i murrmë, mund të ngrejë deri 500 kg (0.8 herë më shumë se pesha e tyre trupore)

Falë kombinimit të forcës së krahëve dhe këmbëve të fuqishme, ariu i murrmë është një makineri gjuetie mbresëlënëse. Përveç forcës, këto kafshë janë edhe shumë inteligjente. Ato mund të njohin përmendësh territore me sipërfaqe deri në 800 km2, dhe të formojnë një hierarki sociale me njëri-tjetrin. Një ari i rritur i këtij lloji, mund të ngrejë 227 kg vetëm njërin krah, dhe ka forcën e 5 njerëzve të fuqishëm.

5. Tigri, mund të ngrejë 550 kg (2-fishin e peshës së tyre trupore)

Më i shkathët dhe më i shpejtë se një luan, një tigër është i aftë të rrëzojë prenë edhe kur është sa 2-fishi i madhësisë së tij. Po ashtu, ata janë shumë muskulozë dhe të aftë të vrapojnë me një shpejtësi deri në 65 km/h në distanca të shkurtra. Fuqia e një goditjeje me putra nga një tigër, është e tillë sa që mund të vrasë në moment një qenie njerëzore.

4. Kau i myshkut, mund të ngrejë 900 kg (rreth 1.5 herë më shumë se pesha e tij trupore)

Duke përdorur muskujt e tyre të fortë, ata janë në gjendje të tërheqin pesha të mëdha për distanca të gjata. Një ka i rritur i këtij lloji, mund të peshojë 180-410 kg dhe i pëlqen të përleshet me grabitqarët. Muskujt e tyre të fuqishëm në kokë dhe qafë, mund t’i japin një goditje të fortë. Edhe brirët mund të shkaktojnë plagë serioze.

3. Rinoceronti i bardhë, mund të ngrejë 800 kg (sa gjysma e peshës së tij trupore)

Rinocerontët meshkuj të rritur mund të peshojnë 1800- 2500 kg, ndërsa femrat 1800-2000 kg, që është më shumë se sa mesatarja e makinës suaj familjare. Është e vështirë të matet se sa i fortë është një rinoceront i bardhë. Por vlerësohet se ai mund të tërheqë një peshë midis 800 dhe 1100 kg.

2. Gorilla, mund të ngrejë 815 kg (gati 4 herë më shumë se pesha e saj trupore)

Gorillat kanë krahë shumë të fortë që i përdorin për të ecur, ngjitur në pemë dhe u hedhur nga njëra degë në tjetrën. Kjo veprimtari e përditshme, i mban muskujt e mëdhenj të tonifikuar. Meshkujt janë më të mëdhenj se femrat dhe mund të peshojnë deri në 200 kg kur  rriten plotësisht. Gjithsesi, ata nuk kanë nevojë për të gjithë këtë fuqi për të gjuajtur, sepse jetojnë duke konsumuar kryesisht bimë dhe fruta.

1. Elefanti afrikan i savanës, mund të ngrejë deri në 6000 kg

Kafsha më e fortë në botë është elefanti afrikan i savanës, që mund të ngrejë sa pesha e tij trupore. Vetëm me feçkën e tyre mund të ngrenë pesha mbi 200 kg, falë mbi 40.000 muskujve.

Sa për krahasim, një njeri i rritur ka pak më shumë se 600 muskuj në të gjithë trupin. Pesha mesatare e një elefanti të rritur të këtij lloji, është pak më shumë se 6000 kg, duke e bërë atë kafshën më të madhe tokësore në botë.

Burimi: Science Focus/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë