Njerez

Cila është mafia më e fuqishme në botë?

Rrjetet e trafikimit të drogës punësojnë 600,000 persona në Meksikë. Këto kartele fitojnë nga 19 miliardë deri në 29 miliardë dollarë në vit. Përafërsisht 15,000 të rinj të trajnuar punojnë për kartelet, të cilat janë të pajisura me drone, granata, mitraloza dhe madje edhe automjete të blinduara. Të gjitha këto para dhe armatime shpërndahen nga “gangsterët e vjetër të drogës” të cilët kontrollojnë mbi 45 për qind të Meksikës, duke përfshirë edhe shtetet perëndimore dhe ato kufitare. Pra nuk është rastësi, që meksikanët kanë organizatën më të rrezikshme të mafiozëve në botë.

Kartelet meksikane janë organizatat më të fuqishme dhe më të rrezikshme të mafias në botë. Ato njihen për disa nga aktet më të dhunshme të raportuara në media, si prerja e kokave, torturat, vrasjet dhe rrëmbimet e shumta. Kartelet e drogës kanë lidhje jashtëzakonisht të fuqishme në trafikun e paligjshëm të armëve dhe janë shpesh herë më të armatosur se ushtria meksikan. Dy nga klanet më të fuqishme janë ato të Bravos dhe Zetas, të cilët janë në një luftë të vazhdueshme kundër njëra-tjetrës.

Mbi 239,000 persona janë vrarë në Meksikë që kur Presidenti Felipe Calderón u shpalli luftë karteleve në vitin 2006. Disa fajësojnë dhunën e kriminelëve, të tjerë dhunën e policisë. Meksika është në rrugën e duhur për të tejkaluar 30,000 vrasje në vit. Gangsterët e karteleve po vrasin edhe zyrtarët qeveritarë; 97 politikanë dhe 48 kandidatë politikë janë vrarë që nga shtatori i kaluar. 

Sipas raporteve, në vend të dytë vinë mafia italiane dhe kartelet e saj e të famshme, si Cosa Nostra, Sacra Corona Unita, Ndrangheta dhe Camorra. Mafia italiane njihet për trafikimin e lëndëve narkotike, ryshfetet, mashtrimet dhe bastet e paligjshme. Mafiozët italianë fitojnë dhjetëra miliarda dollarë në vit, por nuk janë aq të fuqishëm si në të kaluarën.

Ndërsa vendi i tretë duket se i takon mafisë ruse. “Solntsevskaya Bratva” përfaqëson një rrjet prej dhjetë grupesh të ndara, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur. Kupola drejtuese e organizatës mafioze përbëhet nga dymbëdhjetë liderë që udhëheqin të gjithë organizatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë